Është fushatë zgjedhore, jo politike, por sportive.
Megjithatë, nuk është duke u trajtuar në mënyrën e tillë.
Këtë e ka kuptuar edhe vetë Bashkim Fino, kandidati për kreun e FSHF-së.
Ai thotë se ka shumë parregullsi, ku tregon që nga klubet që nuk votojnë, deri te raportimet në UEFA.
Më tej ai foli edhe për një takim të mundshëm me Armando Dukën. Ai thumboi duke treguar kompaninë celulare që ka falimentuar, ndërsa tha se do të jetë kreu i ri i FSHF-së.
“Shënkolli dhe Orikumi janë në garë dhe nuk kanë të drejtë vote, ndërsa ka të drejtë vote Fieri, Vlora, Pojani që nuk ekzistojnë fare në futbollin tonë”.
“Në 7 shkurt kur unë të jem fituesi, lista e skuadrave që do të votojnë do të jetë ndryshe. Ata do të jenë të bërë publik në faqen e federatës çdo vit. Ata që do të largohen, do të ikin nga lista dhe do të shtohen klubet që do të hyjnë në kampionat”.
“Ilir Shulku mban përgjegjësi për zgjedhjet. Ai është sot në krye të FSHF-së. Ka ekipe që nuk kanë farë ekip, ose që nuk kanë fare ekip do të vijnë të votojnë. Ku e kanë të drejtën ata që të votojnë?”.
“Të gjitha parregullsitë që kemi konstatuar këto kohë ne ia kemi nisur UEFA-s duke i bërë të ditur çdo gjë. I kemi kërkuar të drejtën tonë për çdo parregullsi. Ne nuk presim nga UEFA që të bëjë zgjidhjen, por jemi ndjerë mirë që na kanë dërguar përgjigje pozitive. Përsa nuk gjej mbështetjen nga punonjësit e FSHF-së që nuk e marrin me sportivitet këtë proces. Dukës i ka takuar që të marrë në telefon. I ka falimentuar numri dhe nuk kam kontakt me të. Ai duhet të më kontaktonte dhe të më ftonte edhe në zyrë. Duhet t’i uronim njëri-tjetrit suksese. Po të kishim bërë këtë takim, do të ishte më interesante”.
“Vij nga politika dhe jam mësuar me fushatat, por kjo është ndryshe. Nuk ka asgjë të përbashkët. Në fushatën politike ke të bësh me një numër të madh njerëzish, ndërsa në FSHF ke një numër të kufizuar. Fushata me një numër të vogël njerëzish është shumë më e vështirë sepse me më pak njerëz ka më shumë probleme. E vështirë t’iu mbushësh mendjen”.