Ikën apo qëndron? A do ta veshë fanellën e Fiorentinës deri në fund të sezonit apo do të ndërrojë ekip menjëherë? E ardhmja e Dusan Vlahovic mbetet e panjohur. Sipas Joe Barone, drejtorit të përgjithshëm të klubit vjollcë, thashethemet për një ofensivë të Juventusit janë të rreme: “Nuk kemi marrë asnjë propozim nga Juventusi për Vlahovic. Nuk e dimë se cilat janë qëllimet e lojtarit, por herët a vonë do të duhet të na i thotë”.
Nuk pranon Premier League
Barone rrëfeu në detaje situatën lidhur me të ardhmen e Vlahovic dhe hezitimin e serbit për të pranuar Premier League: “Disa anglezë kanë kontaktuar me Fiorentinën, por nuk ka marrëveshje dhe nuk mund të ketë nëse lojtari ka plane të tjera, nuk pëlqen Premier League. Ne, në çdo rast, jemi në dispozicion”.
70 milionët e Arsenalit, për shembull, janë aty, në “pjatë”. Vlahovic duket se ka ide të tjera. I pyetur nëse agjenti i qendërsulmuesit ka marrë ndonjë ofertë për transferim, Barone është shprehur i thatë dhe kategorik: “Zero. Unë kam kërkuar qartësi nga menaxheri i tij, por ende asgjë. Asnjë kontakt”.
Kulusevski dhe 35 milionë euro?
Pavarësisht përgënjeshtrimit, Gazzetta dello Sport shkruante sot se Juventus është hedhur në sulm për Dusan Vlahovic.
Oferta për serbin është e rëndësishme: 35 milionë euro “cash”, plus kartonin e Dejan Kulusevskit.
Është e qartë që Juventusi është në sfond të tratativave të dështuara për rinovimin e Vlahovic me Fiorentinën. Sulmuesi ka hedhur poshtë të gjitha propozimet ndoshta duke pritur lëvizjen konkrete të klubit bardhezi.