Ekonomi Firmoset marrëveshja për ndërtimin e 500 apartamenteve nga Turqia

Firmoset marrëveshja për ndërtimin e 500 apartamenteve nga Turqia

Ministri i shtetit për Rindërtimi, Arben Ahmetaj dhe ai turk për Mjedisin dhe Urbanizmin, Murat Kurum, nënshkruan këtë të shtunë marrëveshjen për ndërtimin e 500 apartamenteve të reja pas tërmetit të 26 Nëntorit.

I pranishëm në momentin e firmosjes së marrëveshjes ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ai tha se tashmë jemi në fazën e dytë të projektit. Siç u bë e ditur edhe një ditë më parë, zona e përzgjedhur për ndërtimin e shtëpive është ajo e Laçit.

Rama theksoi se nuk do të bëhet thjesht zëvendësimi i godinave të rrënuara nga tërmeti, por një transformim më i rëndësishëm nga pikëpamja urbane.

“Jemi për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për rindërtimin, sikundër është bërë e ditur dje gjatë një konference për shtyp mes dy ministrave tanimë jemi në fazën e dytë të këtij projekti dhe kemi ardhur në këtë moment të nënshkrimit për të vazhduar me zbatimin e këtij programi bashkëpunimi. Ne kemi zgjedhur zonën e Laçit ku besojmë se me këtë projekt do i japim rrugë ndryshimit thelbësor me qëllim që njerëzit që humbën shtëpitë, të kthehen në shtëpi më të mira se ato që humbën. Nuk do të jetë thjesht zëvendësimi i godinave të rrënuara në godina të reja, por do të jetë një transformim i rëndësishëm i pikëpamjes urbane”, tha Rama.

Ndërkohë Kurum përcolli edhe njëherë ngushëllimet e tij, të Presidentit Erdogan dhe popullit turk për familjet që humbën njerëz nga tërmeti i Nëntorit të vitit të kaluar.

“Ne jemi edhe me ekipet tona për të vazhduar bashkëpunimin edhe me çështje të tjera që kanë të bëjnë me infrastrukturën, siç janë impiantet e pastrimit të ujërave të zeza dhe probleme të tjera. Ato që kemi bërë deri tani do vazhdojmë t’i bëjmë edhe në të ardhme në bazë të marrëdhënieve vëllazërore që kemi si popuj. Uroj që të jetë i dobishëm dhe i hajrit ky protokoll mes dy vendeve dhe dy popujve tanë”, tha Kurum.