Bota Irani pranon goditjen “gabimisht“ të avionit me 176 persona në bord

Irani pranon goditjen “gabimisht“ të avionit me 176 persona në bord

Irani ka pranuar se ushtria e tij ka goditur “pa dashje” avionin ukrainas të pasagjerëve, duke vrarë të 176 personat në bord, ka raportuar televizioni shtetëror.

Ngjarja tragjike konsiderohet një gabim njerëzor, teksa avioni ishte duke fluturuar pranë një zone sensitive që i përket Rojeve Revolucionare të Iranit. Më tej, theksohet se ata që e shkaktuan këtë tragjedi do të mbajnë përgjegjësi.

Më herët, Irani nuk kishte pranuar se avioni ishte rrëzuar nga një raketë, por presioni u shtua pasi SHBA dhe Kanadaja, duke përmendur Inteligjencën, thanë se besonin se avioni ishte qëlluar nga një raketë nga Irani.

Presidenti i Iranit Hassan Rouhani e quajti aksidentin si një “katastrofë të tmerrshme”.

“Në atmosferën e kërcënimeve dhe frikësimeve nga regjimi agresiv amerikan kundër kombit iranian pas martirizimit të gjeneralit Qasem Soleimani, dhe për të mbrojtur veten tonë kundër sulmeve të mundshme nga Ushtria Amerikane, Forcat e Armatosura të Republikës Islamike të Iranit ishin në vigjilencë të plotë, e cila fatkeqësisht çoi në këtë katastrofë të tmerrshme duke marrë jetën e dhjetëra njerëzve të pafajshëm për shkak të gabimeve njerëzore dhe të shtënave të gabuara

Republika Islamike e Iranit është thellësisht e penduar nga ky gabim katastrofik dhe ngushëlloj thellësisht familjet e viktimave të këtij incidenti tragjik në emër të Republikës Islamike të Iranit. Ministria e Punëve të Jashtme do të jetë në bashkëpunim të plotë konsullor për të identifikuar dhe kthyer trupat e viktimave te familjet e tyre.

Ky aksident i dhimbshëm nuk është diçka që mund të anashkalohet lehtësisht. Kërkohet hetim i mëtejshëm për të identifikuar të gjitha shkaqet dhe rrënjët e kësaj tragjedie dhe përndjekjen e autorëve të këtij gabimi të pafalshëm”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Hassan Rouhanit.

Rrëzimi i avionit ukrainas erdhi disa orë pasi Irani sulmoi me raketa dy baza ajrore të SHBA-ve në Irak. Të 176 pasagjerët, të cilët udhëtonin drejt Kievit, humbën jetën.

Bëhet fjalë për 82 iranianë, 57 kanadezë, 11 ukrainas si dhe suedezë, britanikë, afganistanas dhe gjermanë.