Pas gati një vit negocimi, qeveria shqiptare ka nënshkruar sot marrëveshjen për zhvillimin e projektit “Durrës Yacht & Marina”.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku theksoi se projekti me vlerë 2 miliardë euro është projekti më i madh ekonomik për Shqipërinë, që sipas saj do të ndryshojë pamjen e turizmit jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Në këtë projekt, shteti shqiptar është bashkaksioner në 33%.
“Ky është hapi përfundimtar i një procesi të gjatë. Kemi kaluar të gjitha hapat e duhur në një negocim shumë të gjatë deri në aprovimin nga parlamenti dhe dekretimin e këtij ligji nga presidenti. Ky është projekti më i madh ekonomik që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Shteti shqiptar është bashkaksioner në një projekt me vlerë 2 miliard euro dhe do të ndryshojë pamjen e turizmit jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Edhe diaspora do të jetë një njësi banimi në këtë projekt të ri. Nuk ka qenë e lehtë të negocionim. Përveç një projekti të rëndësishëm, kemi një grup të përgatitur për projekte të tjera të kësaj natyre. Periudha e negocimit zgjati gati një vit”.
Balluku bëri të ditura edhe vështirësitë e negocimit për shkak të kërkesave të shumta nga ana e qeverisë shqiptare dhe theksoi se shteti ka përgjegjësinë e ruajtjes së aseteve strategjike.
“Ia kemi dalë më së miri dhe do të vërtetojmë që kemi bërë zgjedhjen e duhur. Kemi pasur momente kur të dyja palët mendonim që nuk do të ecte, se kërkesat e shtetit shqiptar ishin të shumta. Por në këtë projekt, shteti është aksioner 33 %, ka përgjegjësi të ruajë asetet strategjike si kalatat, baseni dhe kanali i portit. Këto mbeten pronë të shtett, si mbetet 45% e portit aktual që do pastrohet e rehabilitohet dhe do t’i kthehet në përdorim qytetarëve. Ne do të kemi mundësi të futemi në atë zonë që ka qenë e mbyllur. Do të lidhet me dy porte të thata në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë dhe do të ketë ndikim për zhvillimin ekonomik të rajonit”.