Reforma Zgjedhore do të përfundojë para datës 15 mars. Kështu të paktën është shkruar në dokumentin mbi të cilin përfaqësuesit e opozitës jashtë Parlamentit, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, u takuan këtë të martë me bashkëdrejtuesit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari.
Palët kanë rënë dakord që të formojnë një Këshill Politik me përfaqësues nga të gjitha palët, i cili do të mblidhet brenda muajit janar të këtij viti.
Në dokument thuhet se palët e përfshira angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve që janë objekt pune i Komisionit të Reformës Zgjedhore, përfshirë këtu edhe rekomandimet e OSBE/ODHIR. “Për çështjet që nuk do të gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe ndihmë nga ekspertët ndërkombëtarë”, thuhet në dokument.
Projekti përfundimtar i dakordësuar mes palëve, do të miratohet nga Kuvendi dhe shumica angazhohet të plotësojë kërkesën që artikuloi më parë gjatë ditës kreu i PD, Basha, pasi do ta miratojë atë pa kryer ndryshime në komision dhe seancë plenare.
Reagon Edi Rama
Kryeministri Rama ka reaguar pas arritjes së një marrëveshje ditën e sotme mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje me reformën zgjedhore.
“Përtej më shumë se një viti të humbur në rrugën e konfliktit të çuar deri në ekstremin e mosarsyes, duhet përgëzuar ky rikthim i arsyeshëm në tryezën e dialogut për shkallën e parë të Reformës Zgjedhore, ku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR-it do integrohen në Ligjin Zgjedhor”, shkruan Rama në Twitter”.