Extra Fishkëllimat në vesh të lidhura me sëmundje neuro-degjenerative?

Fishkëllimat në vesh të lidhura me sëmundje neuro-degjenerative?

Fishkëllimat në vesh janë një problem i përjetshëm që mund të prekë të gjithë popullatën.

Perceptimi i dëgjimit të një tingulli, që në fakt nuk është i pranishëm, është një ngjarje shumë e zakonshme dhe të gjithë e kanë përjetuar të paktën një herë këtë fenomen.

Rreth 750 milionë njerëz vuajnë prej kësaj në mbarë botën.

“Por, kujdes nga sëmundjet neurodegjenerative që kanë si simptomë fishkëllimën në vesh”, thotë Arianna di Stadio, profesoreshë e Otorinolaringologjisë në Universitetin e Katanias dhe studiuese nderi në “Queen Square Neurology” në Londër, me rastin e Ditës Botërore të Veshit.

“Perceptimi i tingujve dhe zërit është një proces kompleks që fillon në vesh. Pasi qelizat e veshit stimulohen nga një tingull, siç mund të jetë ai i një briri, ato lëvizin, duke gjeneruar një impuls nervor që arrin në tru, ku është briri. Në rastin e tingëllimës në vesh mungon stimuli i jashtëm dëgjimor dhe qelizat lëvizin vetë duke gjeneruar këta tinguj fantazmë”, shpjegon Di Stadio.

“Kjo lëvizshmëri pa stimul është tregues i vuajtjes së qelizës dhe mund të ndodhë pas një traume akustike, megjithatë ky fenomen është kalimtar, pasi qelizat ose rikuperojnë mirëqenien e tyre ose vdesin dhe tingëllimat zhduken”, shton ajo.

“Ndryshe është kur tingëllima në vesh është e vazhdueshme. Kjo këmbëngulje shkaktohet nga inflamacioni i zonës së dëgjimit në tru, pas stimulit periferik që vjen nga veshi. Nëse qelizat e veshit vdesin ato nuk mund të dërgojnë më sinjale, kështu që tingëllima në vesh duhet të zhduket. Në disa njerëz, megjithatë, ky stimulim i tepërt mund të shkaktojë inflamacion të zonës specifike në tru, e cila mbetet aktive edhe në mungesë të stimulimit nga veshi”, thekson Di Stadio.

“Disa sëmundje, si skleroza e shumëfishtë, mund të japin si simptomë tingëllimë në vesh dhe ne duhet ta trajtojmë problemin duke përdorur metodologji të afta për të luftuar neuro-inflamacionin”, thotë ajo.

“Aktualisht, ne jemi duke studiuar një seri molekulash anti-neuroinflamatore për të trajtuar pacientët me tingëllimë mbi gjashtë muaj në vesh. Ne duhet të parandalojmë që çrregullimi të bëhet kronik”, përfundon Di Stadio.