Dy shqiptarë janë vënë në pranga në Pescara të Italisë për trafik droge. Atyre iu sekuestruan 34 kilogramë heroinë, një prej sasive më të mëdha të drogës të kapura në zonën e Abruzzo-s vitet e fundit.
Dy shqiptarët që ranë në pranga janë Alfred Tusha 28 vjeç dhe Leonard Spahiu, 48 vjeç. Sipas asaj që bëjnë të ditura mediat italiane, droga ishte e ndarë në pako, gati për t’u hedhur në treg.
Fitimet nga kjo sasi heroine mund të shkonin deri në 2 milionë Euro, pasi duke parë edhe situatën e karantinës, kërkesa për drogë në Abruzzo është rritur ndjeshëm.
Si ranë në pranga shqiptarët?
Autoritetet ranë fillimisht në gjurmët e një të riu nga Chieti, i njohur si shpërndarës droge nga autoritetet italiane. Ai u takua me dy shqiptarët pasditen e së premtes. Pas takimit, Tusha dhe Spahiu u nisën në drejtim të Pescara-s. Ata zbritën në Montesilvano dhe hynë në një pallat.
Gjatë gjithë kësaj kohe, dy shqiptarët kanë qenë nën vëzhgimin e policëve. Nga pallati doli vetëm një prej shqiptarëve. Ai u arrestua i pari dhe iu gjetën katër pako me nga 500 gramë heroinë. Policët vunë re se pakoja ishte e ngrohtë, çka tregonte se sapo ishte ndarë.
Kaq mjaftoi që ata të kuptonin se kishin gjetur bazën e trafikut të drogës. Prandaj për të bërë të mundur gjetjen e gjithë sasisë së lëndës narkotike ata përdorën edhe qenin antidrogë, i cili zbuloi të gjitha mjetet dhe heroinën në banesë.
Në një dollap në dhomën e gjumit, u gjetën 25 kilogramë heroinë, 5 kilogramë për prerjen e kokainë, 3 pako të tjera heroinë të fshehura në tavolinë.
Menjëherë pas sekuestrimit të heroinës dy shqiptarët u dërguan në burg në Pescara.