Ekonomi Fitimtarë dhe humbës, si po ndryshon bota nga pandemia

Fitimtarë dhe humbës, si po ndryshon bota nga pandemia

Në shkurt, pandemia e koronavirusit goditi ekonominë botërore me tronditjen më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Karantinat dhe rënia e shpenzimeve të konsumatorit çuan në shembjen e tregut të punës ku ekuivalenti i gati 500 milionë vendeve të punës me kohë të plotë u zhdukën pothuajse menjëherë, shkruan The Economist.

Tregtia botërore u trondit, ndërsa fabrikat u mbyllën dhe shtetet mbyllën kufijtë e tyre. Një katastrofë edhe më e thellë ekonomike u shmang vetëm falë ndërhyrjeve të larta në tregjet financiare nga bankat qendrore, ndihmat qeveritare për punëtorët dhe firmat e dështuara, dhe zgjerimi i deficiteve buxhetore në nivele të krahasueshme me ato të luftës.

Goditja ishte e sinkronizuar. Por teksa ka nisur rimëkëmbja, po hapen hendeqe të mëdha midis performancave të ndryshme të vendeve – që ende mund të rimodelojnë rendin ekonomik të botës. Deri në fund të vitit të ardhshëm, sipas parashikimeve nga OECD, ekonomia e Amerikës do të jetë e së njëjtës madhësi si në vitin 2019, por ajo e Kinës do të jetë 10% më e madhe.

Europa do të lëngojë ende nën nivelin e saj para-pandemik të prodhimit dhe mund të vazhdojë kështu për disa vjet – të njëjtin fat mund të ketë edhe Japonia, e cila po vuan një rënie demografike. Por nuk janë vetëm blloqet më të mëdha ekonomike që po rriten me shpejtësi të ndryshme. Në tremujorin e dytë të këtij viti, sipas bankës UBS, shpërndarja e normave të rritjes në 50 ekonomi të ndryshme, ishte në nivelin më të larmishëm për të paktën 40 vjet.

Ndryshimi është rezultat i dallimeve midis shteteve. Më e rëndësishme është përhapja e sëmundjes. Kina pothuajse e ka kapërcyer, ndërsa Europa, dhe ndoshta së shpejti Amerika, po lufton me një valë të dytë. Javën e fundit, Parisi ka mbyllur baret dhe Madridi ka imponuar karantinë të pjesshme. Ndërkohë, në Kinë, tani njerëzit mund të argëtohen në klubet e natës. Një ndryshim tjetër është struktura para-ekzistuese e ekonomive. Është shumë më e lehtë të punosh në fabrika duke respektuar distancimin social, sesa të administrosh bizneset e sektorit të shërbimeve që mbështeten në kontakte ballë për ballë.

Prodhimi përbën një pjesë më të madhe të ekonomisë në Kinë, sesa në çdo vend tjetër të madh. Një faktor i tretë është reagimi i politikës. Kjo ka të bëjë pjesërisht me madhësinë – Amerika ka injektuar më shumë stimul se Europa, duke përfshirë shpenzime me vlerë sa 12% e PBB-së dhe një ulje prej 1.5% në normat e interesit afatshkurtra. Por politika gjithashtu përfshin mënyrën se si qeveritë u përgjigjen ndryshimeve strukturore dhe shkatërrimit krijues që po shkakton pandemia.

Si po ndryshon ekonomia dhe bizneset

Këto masa do të kenë ndikime të jashtëzakonshme. Pandemia do t’i lërë ekonomitë më pak të globalizuara, më të dixhitalizuara dhe më pak të barabarta. Ndërsa ulin rreziqet në zinxhirët e furnizimit dhe rrisin automatizimet, prodhuesit do ta sjellin prodhimin më afër shtëpisë.

Ndërkohë që punonjësit e zyrave vazhdojnë të punojnë nga kuzhinat dhe dhomat e tyre të gjumit për të paktën një pjesë të javës, punëtorët me paga më të ulëta që më parë punonin si kamerierë, pastrues dhe ndihmës shitjesh, duhet të gjejnë punë të reja në periferi. Derisa ta bëjnë këtë, ata mund të përballen me periudha të gjata papunësie. Në Amerikë, humbjet e përhershme të vendeve të punës janë në rritje, edhe teksa niveli i përgjithshëm i papunësisë bie.

Teksa më shumë aktivitete po kryhen online, biznesi do të dominohet më tepër nga firmat më të përparuara me pronë intelektuale; bumi i këtij viti në aksionet e teknologjisë krijon një ide të asaj që mund të pritet, ashtu si edhe rritja dixhitale në industrinë bankare. Normat e ulëta reale të interesit do t’i mbajnë të larta çmimet e aseteve edhe nëse ekonomitë mbeten të dobëta.

Kjo do të zgjerojë hendekun midis Wall Street dhe Main Street që u shfaq pas krizës financiare globale dhe që është përkeqësuar këtë vit. Sfida për qeveritë demokratike do të jetë përshtatja me të gjitha këto ndryshime duke ruajtur pëlqimin e popullit për politikat e tyre dhe për tregjet e lira.

Ky nuk është shqetësim për Kinën, e cila deri tani duket se po del nga vala më e fortë e pandemisë – të paktën në periudhën afatshkurtër. Ekonomia kineze është rimëkëmbur shpejt. Drejtuesit e saj presin të bien dakord për një plan të ri pesëvjeçar, i cili e vë theksin mbi modelin e kapitalizmit shtetëror të teknologjisë së lartë dhe mbështetjen në forcat e veta.

Megjithatë, virusi ka ekspozuar defekte afatgjata në aparatin ekonomik të Kinës. Ai nuk ka më një vlerë sigurie dhe këtë vit e përqendroi stimulin në firmat dhe investimet në infrastrukturë, sesa në ndihmën ndaj familjeve. Dhe në planin afatgjatë, sistemi i mbikëqyrjes dhe kontrollit shtetëror, i cili bëri të mundur bllokime brutale, ka të ngjarë të pengojë vendimmarrjen e përhapur dhe lëvizjen e lirë të njerëzve dhe ideve që mbështesin inovacionin dhe rrisin standardet e jetesës.

Europa po ecën më ngadalë. Përgjigjja e saj ndaj pandemisë rrezikon t’i dëmtojë ekonomitë, në vend që t’i lejojë të përshtaten. Në pesë ekonomitë e saj më të mëdha, 5% e fuqisë punëtore mbetet në skema të punës së shkurtër, ku qeveria i paguan për të pritur kthimin e vendeve të punës ose orëve që nuk mund të kthehen më. Në Britani, përqindja është dy herë më e lartë.

Në të gjithë kontinentin, rregullat e pezulluara të falimentimit, durimi i heshtur nga bankat dhe një përmbytje e ndihmës shtetërore diskrecionale, rrezikojnë të zgjasin jetën e firmave “zombie” që duhet të lejohen të dështojnë. Kjo është edhe më shqetësuese duke pasur parasysh që, para krizës, Franca dhe Gjermania kishin përqafuar tashmë një politikë industriale që promovonte kampionë kombëtarë. Nëse Europa e sheh pandeminë si një arsye tjetër për të ushqyer një marrëdhënie komode midis qeverisë dhe bizneseve në detyrë, rënia e saj relative afatgjatë mund të përshpejtohet.

Amerika mbetet në një situatë të pasigurt. Për pjesën më të madhe të vitit, ajo arriti një lloj ekuilibri të përshtatshëm në ndërmarrjen e politikave. Mundësoi një rrjet sigurie më bujar për të papunët dhe një stimul më të madh se ç’parashikohej për një vend ultra kapitalist. Gjithashtu, lejoi që tregu i punës të rregullohej dhe është treguar më pak e gatshme se Europa për të shpëtuar firmat pa të ardhme. Si rezultat i këtyre masave, Amerika po krijon më tepër vende pune.

Por dobësia e saj është politika amerikane mjaft toksike dhe e ndarë. Këtë javë, presidenti Donald Trump dukej se do të ndalonte bisedimet për rinovimin e stimulit ekonomik, që do të thotë se ekonomia mund të bjerë mbi një shkëmb fiskal. Reformat kritike, qoftë për të ridizenjuar rrjetin e sigurisë për një ekonomi të orientuar nga teknologjia, apo për të vendosur deficitet në një kurs të qëndrueshëm, janë thuajse të pamundura, teksa dy parti ndërluftuese e përcaktojnë kompromisin si dobësi.

Covid-19 po imponon një realitet të ri ekonomik. Çdo vend do të detyrohet të përshtatet, por Amerika përballet me një detyrë shqetësuese. Nëse do të udhëheqë botën post-pandemike, asaj do t’i duhet të ripërshtasë politikën e saj.