Ekonomi Moody’s ruan vlerësimin në “B1” për Shqipërinë, parashikon rënie 7.1% nga kriza...

Moody’s ruan vlerësimin në “B1” për Shqipërinë, parashikon rënie 7.1% nga kriza e Covid-19

Në rishikimin “në thellësi” më të fundit (29 Tetor, 2020), agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moddy’s konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B1”, si dhe me perspektivën “e qëndrueshme”.

Agjensia vlerëson se pandemia e koronavirusit ka prekur Shqipërinë për shkak të kufizimeve të brendshme, si dhe prej ndikimit që pati në tregti  dhe remitanca, faktorë të konsumit privat.

Tronditja erdhi kur Shqipëria po fillonte të rekuperohej nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe u përkeqësua nga lidhjet e forta tregtare dhe financiare të vendit me Italinë.

Kushtet e forta e të qendrueshme ekonomike në vitet e fundit dhe përpjekja e përbashkët nga autoritetet për të luftuar ekonominë informale kanë përmirësuar tregun e punës, por goditja e koronavirusit ka pasur një ndikim edhe në këtë aspekt.

Agjensia parashikon një recesion në nivelin prej 7.1% gjatë këtij viti, ndërkohë, që parashikon se ekonomia do të fillojë të ri-mëkëmbet, që prej vitit të ardhshëm (2021), ku parashikon një rritje pozitive prej 5%.

Agjensia vlerëson se angazhimi në procesin e pranimit në BE ka rezultuar në reforma të rëndësishme institucionale.

Zbatimi i reformave në përputhje me anëtarësimin në BE është bërë përparësia kryesore e Qeverisë, që prej arritjes së statusit të kandidatit dhe përpjekjet e saj kanë dhënë rezultate të dukshme deri më tani.

Integrimi më i afërt me BE dhe përparimi në adresimin e pengesave në energji, bujqësi dhe turizëm do të mbështesin rritjen afatgjatë.

Përparimi në reformimin e sektorit të energjisë, heqja e pengesave administrative, forcimi i mjedisit rregullator dhe gjyqësor (veçanërisht adresimi i dobësive në zbatimin e kontratave dhe të drejtat e pronës), si dhe trajtimi i ekonomisë informale do të përmirësonte perspektivat për investim, ndërsa klima e biznesit forcohet.

Agjensia vlerëson se kuadri fiskal është përmirësuar. Shqipëria ka përmirësuar planifikimin dhe ekzekutimin e saj fiskal. Ndryshimet në Ligjin Organik të Buxhetit në mes të vitit 2016 dhe sistemet e vendosura për të monitoruar dhe zgjidhur problematikat me detyrimet e prapambetura pritet të sigurojnë një pozicion fiskal më pak të lëkundur në të ardhmen.

Në dallim nga periudha parazgjedhore në 2013, ku rezultoi një akumulim i konsiderueshëm i detyrimeve të prapambetura (4.8% të PBB-së), asnjë rrëshqitje fiskale nuk ndodhi gjatë periudhës së zgjedhjeve të fundit, falë dispozitave të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, të cilat disiplinojnë ekzekutimin e deficitit në vitet zgjedhore.

Në korrik 2020, qeveria miratoi amendime të mëtejshme në Ligjin Organik të Buxhetit, duke përfshirë një rregull fiskal për një balancë primare të paktën zero duke filluar nga viti 2023 e në vijim.

Reduktimet në raportin e borxhit para goditjes së koronavirusit u mbështetën nga ndryshimet në LOB (rregullat fiskalë në fuqi që nga qershori 2016), të cilat përcaktojnë, që buxhetet e një pas njëshme të targetojnë një nivel gjithmonë në ulje të borxhit publik ndaj PBB-së.

Agjensia vlerëson se parametrat fiskalë do të përkeqësohen, por vetëm përkohësisht, për shkak të goditjes së koronavirusit. Barra e borxhit do të arrijë një nivel të lartë në vitin 2020. Agjensia pret që raporti i borxhit publik të Shqipërisë ndaj PBB-së të arrijë 80% në vitin 2020, përpara se ai të fillojë të bjerë gradualisht që prej vitit 2021. Rritja e deficitit fiskal dhe rënia ekonomike do të përmbysin përkohësisht trajektoren rënëse të borxhit të qeverisë të viteve të fundit.

Agjensia vlerëson se konsolidimi fiskal do të rifillojë vitin e ardhshëm. Rritja e të ardhurave dhe përmirësimi i cilësisë së shpenzimeve do të jenë thelbësore për ri-krijimin e hapësirave fiskale pas goditjes së koronavirusit.

Autoritetet po punojnë për një strategji afatmesme të mobilizimit të të ardhurave. Ndryshimi i fundit në Ligjin Organik të Buxhetit, që synon një balancë primare të paktën zero nga 2023 e tutje, do të ankorojë konsolidimin fiskal në periudhën afatmesme e afatgjatë.

Hapat e ndërmarra për të parandaluar shpenzimet e tepërta para zgjedhjeve, krijimi i një kuadri monitorimi për të parandaluar akumulimin e përsëritur të detyrimeve të prapambetura dhe progresi i bërë në zgjidhjen e pretendimeve për pronat, ndihmojnë në kufizimin e riskut fiskal në të ardhmen.

Ndikimi i pandemisë së koronavirusit do të rëndojë në financat publike, duke përmbysur përkohësisht përmirësimin e tyre në vitet e fundit.

Vlerësohet se kuadri fiskal, administrata tatimore dhe mbledhja e të ardhurave janë përmirësuar në vitet e fundit. Megjithëse kuadri fiskal është forcuar, rreziqet fiskale mbeten. Me mbështetjen e FMN, Bankës Botërore dhe BERZH, qeveria ka bërë progres në përmirësimin e kuadrit fiskal dhe adresimin e një pjese të mirë të rreziqeve, thuhet në njoftimin e Moody’s.