Siao Jao, 27-vjeç, as që e kishte ditur se është infektuar me koronavirus dhe nuk e kishte idenë se ku ka ndodhur kjo, megjithatë ai dyshon se ka mundur të ndodhë derisa është kthyer me tren në shtëpi, pasi kishte shkuar për të festuar vitin e ri kinez në Dingzo.
Siao që punon në Chengu në jugperëndim të Kinës, kishte ndjerë se diçka nuk është në rregull gjatë pritjes së vitit të ri, transmeton Telegrafi.
“Befasisht më ka kapluar një temperaturë e madhe. Më kapi paniku. Nuk e dija çfarë të bëjë… Nga miqtë në Wuhan kam dëgjuar gjëra të tmerrshme për virusin që ishte shpërndarë në gjithë vendin. Kam pasur përshtypjen se nuk duhet të shkojë në spital, pasi atje mund të sëmuren edhe më shumë”, ka deklaruar ai.
Aty e kuptoi se duhet të arratiset nga shtëpia e mikeshës me qëllim që të mbrojë djalin e tij të vogël dhe prindërit e moshuar. Wuhan qysh asokohe ishte futur në karantinë. E pasi që nuk kishte mundur të arrijë as deri të shtëpia e prindërve, Siao u vendos në hotelin më të afërt.
Për afër një javë qëndroi i mbyllur në dhomë, pasi në qytet çdo gjë ishte mbyllur, duke filluar nga marketet e deri te kafenetë. Vazhdimisht merrte barna për uljen e temperaturës dhe konsultohej me mjekë në internet, që i rekomandonin se ndoshta mund të ketë pësuar infeksion në rrugët respiratore.
“Kam qenë i shqetësuar. Mendoja nëse duhet ta thërras policinë që përmes tyre të marr ndonjë lloj ndihme. Në fund hoqa dorë nga kjo ide sepse nuk ishte i sigurtë nëse jam infektuar me koronavirus”, shtoi ai.
Ai madje filloi të përjetoj halucinacione dhe kishte përshtypjen se nëpër dhomë po i fluturojnë objekte të ndryshme. Megjithatë të nesërmen e kuptoi se në këtë dhomë kishte fluturuar një lakuriq, dhe aty u kaplua nga paniku sepse ekspertët paralajmëronin se infeksioni është shpërndarë pikërisht përmes lakuriqëve.
Qeveria kineze kishte vendosur ta mbyllë hotelin ku kishte qëndruar Siao, kështu u detyrua të kthehet ne shtëpinë e mikeshës. E duke marrë parasysh se kishte filluar të kollitet me shpesh dhe mikesha e tij kishte temperaturë, kërkuan ndihmë në spitalin më të afërt të qytetit.
Mori terapi intravenoze, barna kundër virusit dhe praktikonte medicinën tradicionale kineze, kurse më 4 shkurt u konfirmua se ai vuan nga koronavirusi.
“Kushtet kanë qenë shumë të vështira. Nuk jam pastruar për 20 ditë, nuk kam pasur peshqirë, kurse në ushqim ndjeja aromën e përbërësve që dezinfektonte gjithçka”, shtoi ai.
Që situata të përkeqësohet më shumë, banorët e qytetit ku jetonte miku i tij filluan ta përgojojnë.
“Njerëzit flisnin se jam bërë mutant, se kam vdekur dhe se kam ardhur me qëllim në qytet për të infektuar të tjerë… Kam qenë mendërisht dobët”, ka thënë ky i ri nga Kina.
Megjithatë lajmet e mira i erdhën disa ditë më vonë kur edhe doli nga spitali pasi ishte shëruar pas qëndrimit disaditor në karantinë.