Bahreini u bë të premten një tjetër vend arab që pranon të normalizojë lidhjet me Izraelin si pjesë e një shtytjeje më të gjerë diplomatike nga ana e Presidentit Donald Trump dhe administratës së tij për ta integruar plotësisht shtetin hebre në Lindjen e Mesme.
Presidenti Trump e njoftoi marrëveshjen pas një telefonate trepalëshe që kishte patur me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe Mbretin e Bahreinit Hamad bin Isa Al Khalifa. Të tre udhëheqësit publikuan gjithashtu një deklaratë të shkurtër të përbashkët me gjashtë paragrafë, ku e konfirmonin marrëveshjen.
“Një tjetër përparim HISTORIK sot!” shkroi Presidenti Trump në Twitter.
Njoftimi, i bërë në 19 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, vjen më pak se një javë para se Presidenti Trump të organizojë një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar vendosjen e marrëdhënieve të plota midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Në ceremoni do të marrë pjesë edhe Ministri i jashtëm i Bahreinit.
“Nuk ka përgjigje më të fuqishme ndaj urrejtjes që polli 11 shtatorin se sa kjo marrëveshje”, u tha zoti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Marrëveshja përfaqëson një fitore tjetër diplomatike për Presidentin Trump më pak se dy muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe një mundësi për të siguruar mbështetje mes të krishterëve evangjelistë pro-izraelitë në SHBA.
Vetëm javën e kaluar, Presidenti Trump njoftoi marrëveshjet në parim që Kosova të njihte Izraelin dhe që Serbia të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jeruzalem.
“Ky është një përparim historik për paqe të mëtejshme në Lindjen e Mesme,” thanë në deklaratën e tyre Presidenti Trump, Kryeministri Netanyahu dhe Mbreti Hamad. “Hapja e dialogut dhe e lidhjeve të drejtpërdrejta midis këtyre dy shoqërive dinamike dhe ekonomive të përparuara do të vazhdojë transformimin pozitiv të Lindjes së Mesme dhe do të rrisë stabilitetin, sigurinë dhe begatinë në rajon,” thuhet aty.
Ashtu si marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe, marrëveshja e së premtes Bahrein-Izrael do të normalizojë marrëdhëniet diplomatike, tregtare, të sigurisë dhe marrëdhëniet e tjera midis dy vendeve. Bahreini, së bashku me Arabinë Saudite, tashmë kanë hequr ndalimin e fluturimeve izraelite nëpër hapësirën e tyre ajrore. Drita e gjelbër e dhënë nga Arabia Saudite është parë si kyç për arritjen e marrëveshjeve.
Dhëndri dhe këshilltari i lartë i Presidentit Trump, Jared Kushner vuri në dukje se marrëveshja është e dyta që Izraeli arrin me një vend arab brenda 30 ditësh, pas paqes që ka bërë me vetëm dy shtete arabe – Egjiptin dhe Jordaninë – në 72 vjet të pavarësisë së tij.
“Ishte shumë e shpejtë,” tha zoti Kushner për agjencinë e lajmeve Associated Press. “Rajoni është duke iu përgjigjur në mënyrë të favorshme marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara dhe shpresojmë se është një shenjë se do të ketë edhe të tjera.”
Zoti Netanyahu e mirëpriti marrëveshjen dhe falënderoi Presidentin Trump. “Na u deshën 26 vjet midis marrëveshjes së dytë të paqes me një vend arab dhe të tretës, por vetëm 29 ditë midis të tretës dhe të katërtës dhe do të ketë të tjera,” tha ai, duke iu referuar traktatit të paqes të vitit 1994 me Jordaninë dhe marrëveshjeve të fundit.
Marrëveshja Bahrein – Izrael ka të ngjarë të shihet si një hap tjetër prapa për palestinezët, të cilët u përpoqën pa sukses që Lidhja Arabe të dënonte çdo normalizim me Izraelin nëse ata nuk siguronin një shtet të pavarur. Kjo ishte një nga kartat e pakta që mbanin ende palestinezët në negociata, ndërsa bisedimet e paqes mbeten të bllokuara.
Deklarata e përbashkët përmend shkarazi palestinezët, duke thënë se palët do të vazhdojnë përpjekjet “për të arritur një zgjidhje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të konfliktit Izraelo-Palestinez për t’i mundësuar popullit palestinez të realizojë potencialin e tij të plotë”.
Marrëveshja e bën Bahreinin vendin e katërt arab, pas Egjiptit, Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara, që ka lidhje të plota diplomatike me Izraelin. Vendet e tjera arabe që besohet të jenë në pragun e njohjes së plotë të Izraelit përfshijnë Omanin dhe Sudanin. Ndërsa u dha në heshtje bekimin marrëveshjeve, Arabia Saudite, fuqia rajonale energjitike, nuk pritet të lëvizë aq shpejt.
Ashtu si Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini nuk ka bërë kurrë luftë kundër Izraelit dhe nuk ndan kufij me të. Por Bahreini, si pjesa më e madhe e botës arabe, i kishte refuzuar prej kohësh lidhjet diplomatike me Izraelin në mungesë të një marrëveshje paqeje për krijimin e një shteti palestinez në tokat e pushtuara nga Izraeli në vitin 1967.
Marrëveshja mund të përmirësojë pozitën e zotit Netanyahu, ndaj të cilit u ngritën akuza i për korrupsion vitin e kaluar. Marrëveshjet me vendet arabe të Gjirit “janë rezultat i drejtpërdrejtë i politikës që unë kam udhëhequr prej dy dekadash, … paqe për paqe, paqe përmes forcës”, ka thënë zoti Netanyahu.
Marrëveshja Izraeli-Emiratet e Bashkuara kërkonte që Izraeli të hiqte dorë nga plani i tij i debatueshëm për të aneksuar tokë të pushtuar të Bregut Perëndimor, gjë që kërkohej prej kohe nga palestinezët. Mes vendeve filluan shumë shpejt thirrjet telefonike ndërsa ato vazhdojnë bisedimet për marrëveshje të tjera, duke përfshirë fluturimet direkte.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një popullsi të vogël dhe federata nuk ka traditë për t’i rezistuar autokracisë së vendit, kurse Bahreini përfaqëson një vend shumë të ndryshëm.
I ndodhur pranë brigjeve të Arabisë Saudite, ishulli i Bahreinit është ndër vendet më të vogla të botës, me vetëm 760 kilometra katrorë. Vendndodhja e Bahreinit në Gjirin Persik prej kohësh e ka bërë atë një pikë tregtare dhe një post detar mbrojtës. Ishulli është bazë e Flotës së 5-të të Marinës Amerikane dhe seli e një baze detare britanike e ndërtuar kohët e fundit.
Bahreini është shumë i vetëdijshëm për kërcënimet që paraqet Irani, një ankth që vjen për shkak të shumicës shiite të popullsisë së tij, pavarësisht se qeveriset që nga viti 1783 nga familja suni Al Khalifa.
Që nga Revolucioni Islamik i Iranit në vitin 1979, sundimtarët e Bahreinit kanë fajësuar Iranin për armatosjen e militantëve në ishull. Irani i mohon akuzat, megjithëse ekspertët e armëve thonë se eksplozivët e gjetur atje kanë ngjashmëri me të tjera që lidhen me Iranin.