Kulturë Fjalimi (dhe rikthimi) i “Aktorit më të mirë”, Brendan Fraser

Fjalimi (dhe rikthimi) i “Aktorit më të mirë”, Brendan Fraser

Brendan Fraser u rikthye fuqishëm me filmin “The Whale” dhe fitoi çmimin Oscar si “Aktori më i mirë”, në një listë mjaft sfiduese.

Fraser u ngjit në skenë për të marrë trofeun, dukshëm, i emocionuar dhe me zërin që i dridhej, tha:

“Oh, Zoti im! Dua të falenderoj akademinë për këtë nder dhe studion tonë “A24”, e cila bëri të mundur këtë film të guximshëm. I jam shumë mirënjohës Darren Aronofsky që më hodhi një litar shpëtimi në aspektin krijues dhe më mori në bordin e anijes ‘The Whale‘”, shtoi Brendan, referuar faktit që prej vitesh nuk i besoheshin role.

Fraser falenderoi edhe kolegët e tij, të nominuar në të njëjtën kategori, duke u shprehur: “Zotërinj, ju e hapët zemrën tuaj prej balene (në kuptimin zemër të madhe), që ne të shihnim brenda shpirtit tuaj në atë mënyrë që askush tjetër nuk e ka parë. Është nder për mua që të listohem në të njëjtën kategori me ju”, tha Fraser dhe më pas, shtoi se u mahnit nga aktrimi i Hong Chau.

Brendan reflektoi për karrierën e tij dhe tha: “E kam filluar karrierën para 30 viteve dhe gjërat nuk më vinin lehtë, por gjithsesi, ishte një lehtësi që nuk e vlerësova, derisa ndaloi. Dua thjesht t’ju falenderoj sepse nuk do të ishte e mundur pa kastin (drejtuar kastit të “The Whale”). Ka qenë si një ekspeditë zhytjeje në fund të oqeanit”, tha aktori dhe vijoi me falenderimet për fëmijët e tij, parnteren, Jeanne Moore, si dhe menaxherin e tij.

I prekur, Fraser e përmbylli fjalimin e tij me fjalinë: “Faleminderit edhe një herë të gjithëve. Ju jam shumë mirënjohës”.

Darren Aronofsky riktheu në kinema një talent të harruar si Brendan Fraser, duke i dhënë rolin e Charlie, një burri obez, i cili në prag të vdekjes, mundohet të ringjallë marrëdhënien me të bijën adoleshente. Mes brengave, braktisjes dhe vështirësive, Charlie zbulon të vërtetën e tij.