Politika Flamur dhe himn shqiptar? Pas fitores së Vetëvendosjes, Kosova drejt ndryshimit të...

Flamur dhe himn shqiptar? Pas fitores së Vetëvendosjes, Kosova drejt ndryshimit të simboleve shtetërore

Me qeverinë e re të Kosovës mund të ndryshohen edhe simbolet e shtetit, himnin dhe flamurin.

Kandidati për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, Hysamedin Feraj tha në studion e lajmeve në RTV Ora se do të shkohet drejt vendosjes së simboleve shqiptare.

Pjesë nga biseda në studio

Hysamedin Feraj: Shpresoj që do të shkohet drejt ndryshimit të simboleve që përfaqësojnë shtetin.

Beti Njuma: Pra do të vendosni për ndryshimin e himnit, ndryshimin e flamurit?

Hysamedin Feraj: Unë nuk po them se ky do jetë ndër veprimet e para sepse nuk është më i ngutshmi, sepse ata de facto janë. Pra funksionojnë faktikisht simbolet kombëtare dhe formalisht në protokoll mbetet ajo.

Beti Njuma: Kjo do të thotë që do të vendosni simbolet shqiptare?

Hysamedin Feraj: Unë them se do të shkohet drejt vendosjes së simboleve shqiptare sepse është një shtet që kanë luftuar shqiptarët dhe jo siç gënjen kushtetuta e Kosovës në preambulë për pavarësi në të cilët luftuan serbwt, shqiptarët, romët etj., se serbët nuk kanë luftuar për pavarësinë e Kosovës. E prandaj shqiptarëve i përket pavarësia dhe përfaqësimi simbolik.

Bashkimi Kombëtar

Hysamedin Feraj tha se për bashkim kombëtar nuk ka nevojë për marrëveshje me qeverinë shqiptare. Problemi tha ai mbetet juridik, që i kufizon padrejtësisht Kosovës të drejtën për bashkim apo ndarje me shtetet që do.

Hysamedin Feraj: Nuk ka asnjë dyshim që duhet ndryshimi i Kushtetutës. Marrëveshja me Shqipërinë është marrëveshja me popullin e Shqipërisë. Nuk është e nevojshme asnjë marrëveshje me qeverinë e Shqipërisë dhe as Kuvendin e Shqipërisë. Nëse populli i Shqipërisë këtu dhe populli shqiptar në Kosovë e do bashkimin qeveritë nuk kanë pse pyeten shumë. Por qeveritë do të njohin atë që realizon vullnetin e popullit shqiptar dhe kombit shqiptar. Prandaj problemi mbetet tek ai juridik që i kufizon padrejtësisht Kosovës të drejtën për bashkim apo ndarje me shtetet që do, e drejtë që i përket çdo shteti. Ky është manifest kushtetues i kufizimit të sovranitetit të Kosovës. Besoj se nën qeverisjen e VV sovraniteti i Kosovës do të jetë i plotë ashtu si i çdo shteti tjetër. Në këtë kuadër duhet hequr edhe neni që i kufizon vullnetin si shtet dhe si komb me bashkimin me Shqipërinë.

Beti Njuma: Po sikur institucionet ndërkombëtare BE dhe përfaqësitë e huaja të mos ju mbështesin në këtë nismë?

Hysamedin Feraj: Nuk ka asnjë arsye të mendohet se bota ka marrë ndonjë vendim për të qenë antishqiptar pa asnjë arsye. Ky është një argument që nuk ka arsye të merret parasysh dhe përjashtohet nga çdo logjikë e arsyeshme.