Memaliaj, gjithmonë është shquar për talentet në futboll dhe një prej tyre është edhe Flamur Shehu.
Flamuri u lind në Memaliaj më 9 janar të vitit 1974, në një familje atdhetare tepelenase, me prindër, Merushe dhe Sadik Shehu. Gjyshi i tij, Estref Shehu, ka luftuar në luftën e 1920-s, në Vlorë, kurse babai i tij, Sadiku, doli partizan në moshën 17-vjeçar, me Batalionin “Baba Abaz”. Ndërsa gjyshi i tij nga nëna, Hysni Muçi, ishte një tregtar i vogël, që e ka ndihmuar edhe lëvizjen.
Arsimin fillor dhe klasën e 6-të, e kreu në vendlindje. Në vitin 1985, selektorët për klasave sportive, Viron Laska dhe Mersin Rama e përzgjodhën, pasi besuan tek talenti i tij për futbollin. Mbasi mbaroi klasën e 6-të, u transferua në Tepelenë, duke vazhduar përsëri në klasën sportive të këtij qyteti, me trajnerin memaliot, Vladimir Dana. Po në këtë vit, pesë futbollistë nga klasa sportive, ku bënte pjesë edhe Flamuri, u përzgjodhën nga profesori i futbollit Vladimir Shehu, i cili po formonte ekipin e shkollës, që do ta përfaqësonte në spartakiadën që do zhvillohej në qytetin e Sarandës.
Po me këtë ekip, fitojnë kampionatin në Sarandë dhe dalin nënkampion në spartakiadën e Vlorës. Këto trofe, shënuan një fillimi të mbarë për karrierën e tij të shkëlqyer në futboll. Pasi mbaroi 8-vjeçaren në vitin 1989, trajneri memaliot, Mihal Çimi e merr në ekipin e të rinjve të “Minatorit” të Tepelenës. Pas një sezoni të shkëlqyer me të rinjtë.
Kur ai ishte vetëm 16 vjeç, shkëlqeu akoma më shumë në një ndeshje kontrolli dhe ishte trajneri memaliot, Vladimir Bushi, i bënë ofertën që të linte ekipin e të rinjve dhe të bëhej pjesë e formacionit të ekipit të vendlindjes së tij, Memaliaj. Ishte kjo ëndrra e tij, që një ditë të luante me ekipin e Memaliajt. Përveç talentit të tij, meritë ka edhe Prof. Vladimir Bushi, i cili e spikati dhe i dha mundësin të luante me formacionin e ekipit të parë. Flamur Shehu, luajti në formacionin që përfaqësojë Memaliajn, në kampionatin e viteve 1995-96, ku ekipi ishte pretendenti kryesor, për daljen në kategorinë e parë, ku si kundërshtarë kishin ekipin “Bylisi” të Ballshit. Ekipi edhe pse nuk mundi të dilte në të parën, përveçse kishte një trajner të talentuar si, Prof. Vladimir Bushi dhe me lojtarë të nivelit profesionist si, Mariglen Hysesani, Arben Shehu, Xhevit Kacorri, Flamur Shehu, Altin Zhupa, Ylli Abedini, Edmond Nano, Mariglen Halii, Sadik Disha, Adnand Goga, …etj, të cilët përbënin një ekip memaliotë nga më të mirët për kohën.
Pas këtij sezoni të bukur futbollistik, i cili u përjetua me emocione shumë të veçanta edhe nga sportdashësit, që i shoqëroi për një kohë shumë të gjatë, futbollisti, Flamur Shehu, kalon të luaj në Kategorinë e Parë (sot super-liga shqiptare), me ekipin e “Albetrolit” të Patosit dhe më pas, me “Bylysin” e Ballshit, deri në vitin 2000. Pas futbollit profesionist, nga disa probleme familjare, kthehet të luaj me ekipin e qytetin të tij, Memaliaj që debutonte në Kategorinë e Dytë.
Në sezonin futbollistik 2001-2002, luan për ekipin “Minatori” të Tepelenës. Pas këtij sezoni, kalon të luaj me ekipin e “Gramozit” të Ersekës (2002-2003). Për lojën dhe talentin e tij, kërkohet nga drejtuesit e ekipit të “Butrintit” të Sarandës dhe paraqitet shumë mirë përgjatë gjithë kampionatin 2003-2004. Po në përfundim të këtij kampionati, me kontributin e tij absolut, ekipi i “Butrintit”, del në Kategorinë e Parë dhe ky ishte momenti i tij i fundit, me futbollin e luajtur.
Duke parë kontributin e tij, ishte presidenti i klubit të “Butrintit”, z. Edmond Gjoka, i cili emëroi futbollistin, Flamur Shehu, në detyrën e drejtorit teknik të ekipit të “Butrintit”, për sezonin 2005-2006. Në të njëjtën kohë, mori ftesë nga Bashkia e Finiqit, për të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së titullit “Qytetar Nderi”, të futbollistit legjendar, Panajot Pano.
Pas dy kampionatesh, si drejtor teknik i ekipit, dhe pas marrjes së linçensës së klasit “B”, të UEFA-s, në 3.5.2008 emërohet trajneri i parë i ekipit të “Butrintit”. Pas dy sezoneve si drejtor teknik, vuri të gjitha energjitë mendore, inteligjencën, eksperiencën që kishte fituar përgjatë gjithë karrierës se tij sportive, në shërbim të ekipit që atij iu besua. Për ndërtimin e një ekipi model dhe shumë profesionist, ambiciet dhe përpjekjet e tij vazhdojnë edhe si tajner i saj, pa harruar edhe mbështetjen dhe përkushtimin e presidentit, Edmond Gjoka, në sezonin pasardhës 2010-2011, Flamur Shehu, arriti suksesin e tij të parë si trajner nën drejtimin e tij.
Ai e nxori po atë vit, ekipin e “Butrintit” në Kategorinë e Parë, duke thyer rekorde të mëdha ku në 15 ndeshje, realizoi 15 fitore me anë të 75 golave të shënuar dhe 14 të pësuar.
Dalja e ekipit të Burinitit në Kategorinë e Parë, padyshim që i dedikohet trajnerit, Flamur Shehu, i cili diti të punoj me të gjithë futbollistët që kishte grumbulluar. Më pas, kaloi trajneri i ekipit U-19, të Sarandës. Tashmë, Flamuri është një trajner futbolli me licencë “A”, pasi ka mbaruar specializimin në një kurs që ofron UEFA. Në këtë kurs, ishin 30 ish futbollistë nga më të mirët të Shqipërisë, si: Kiçi, Mile, Hysen Zmiani, Rudi Vata, Altin Raklli, Ferit Ragami, e shumë të tjerë.
Suksesi i futbollistit, Flamur Shehu me këtë ekip, ishte i dyfishtë, pasi përveç si lojtarë, por edhe si trajner, bëri të mundur ta nxirrte në Kategorinë e Parë.
Trajneri Flamur Shehu, sot vazhdon të përgatisë breza të rinj, në akademinë e themeluar prej tij, “F.Sh. Akademi”, që do të thotë “Flamur Shehu Akademi”, të cilët kanë fituar shumë kampionate dhe trofe, kur vazhdojnë ende të luajnë, ndaj akademive të tjera të moshave të tyre.
Trajneri dhe ish futbollisti i mirënjohur, Flamur Shehu, ka mbaruar studimet e larta për drejtësi (juridik) dhe banon me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, në qytetin e Sarandës.
Këto ditë, në faqen e “KS Butrinti”, lexova një falënderim, të cilin po e ndaj me lexuesit: “Nikita është një djalë nga Ukraina, të cilin lufta e solli në Sarandë. Ëndrra e tij, është të bëhet futbollist dhe pasi na kontaktuan në faqen e “KS Butrinti”, ne u treguam të gatshëm ta ndihmonim. Për këtë, duam të falënderojmë Prof. Flamur Shehu, i cili e mori Nikitën në ekipin e tij dhe të gjithë fëmijët, që e mirëpritën. I urojmë që një ditë, ky djalë të bëhet si shumë futbollistë të mëdhenj ukrainas dhe të kujtojë Shqipërinë dhe mikpritjen sarandjote. Wellcome Nikita”!
Nga disa komente që janë bërë tek profili i tij, që kemi tek “Faqja Memaliaj”, po sjellë vetëm dy prej tyre, të cilat janë:
Myzafer Abedini: “Flamuri Shehu, ngelet një talent i shkëlqyer i shkollës së futbollit memaliotë. Me lojën e tij, me pasime të sakta, driblime dehëse, i qetë me topin dhe dukej sikur e përkëdhelte, duke i dhënë jetë mesfushës, kudo ku ai ka luajtur. Me këto cilësi, ai ngjante shumë me futbollistin e mirënjohur, Guardiolën.”
Arben Lila: “Flamur Shehu, ka lënë gjurmë në futbollin tepelenas dhe kudo ku ai ka përfaqësuar. Ai rrjedh nga një familje me shkollë futbolli, pasi i kanë dhënë shumë futbollit tepelenas.”
Ajo që dua të shtoj, është se, kur Flamuri luante me ekipin tonë, unë jam munduar ta ndjek në çdo ndeshje; si ato që luheshin në qytetin tonë, por edhe në ndeshjet që luheshin jashtë. Madje, nga loja e tij spektakolare, më dhuronte shumë emocione, të cilat më çonin në shumë raste edhe të bërtisja fortë.
Bashkë me vlerësimin personal, shpreh respektin dhe mirënjohjen edhe të shumë sportdashësve, të cilët i kujtojnë gjithmonë me nostalgji, lojërat e bukura që u ka dhuruar Flamur Shehu dhe ende jeton në në kujtesën tonë.
Për kontributin e tij të shquar në futboll, ai e meriton të shpallet “Qytetar Nderi”, jo vetëm në Memaliaj, por edhe në qytetin e Sarandës.
Edmond Ismailati
Prill 2022