Greta Thunberg frymëzoi miliona njerëz t’i bashkohen luftës kundër ndryshimeve klimatike, por babai i saj mendon se vendosja e saj në radhën e parë të betejës ishte një ide e keqe.
Në një intervistë për BBC Svante Thunberg rrëfen për betejat me të cilat ishte përballuar Greta dhe familja, para shndërrimit në një ikonë te aktivizmit global.
“Më parë, 3 ose 4 vjet para se të niste grevën në shkollë ajo u sëmur dhe nuk fliste më. Nuk hante dhe rreshti së shkuari në shkollë. Praktikisht, për një vit, qëndroi në shtëpi. Ajo nuk hëngri për tre ose dy muaj e gjysmë, çka për ne si prindër ishte një makth i vërtetë”, deklaroi babai i Gretës.
Por edhe pse e pranon se aktivizmi e ka bërë më të lumtur 16-vjeçaren, i ati shqetësohet për urrejtjen me të cilën përballet ajo, dhe mungesën në shkollë për shkak të grevës klimatike.
Si pjesë e të njëjtit program për BBC, edhe Greta Thunberg u intervistua nga prezantuesi i të njëjtit program, natyralisti Sir David Attenborough. Ky fundit i tha se 16-vjeçarja kishte zgjuar botën për ndryshimet klimatike.
“Kur isha më e vogël, ndoshta 8, 9 ose 10 vjeç gjëja që më bëri të hap sytë ishte ajo që po i ndodhte ambientit”, shpjegoi Greta.
Dokumentarët e filmat mbi natyrën më bënë të kuptoja situatën. Përgjatë viteve që pasuan familja Thunberg nisi diskutimet dhe kërkimet për ndryshimet klimatike, me Gretën që bëhej gjithnjë e më e pasionuar mbi çështjen.
Qëndrimi kritik i adoleshentes detyroi prindërit e saj të përqafonin sjellje më ambientaliste. E ëma hoqi dorë nga udhëtimet me avion ndërsa i ati u bë vegan.