Aktualitet Flet me lot në sy bashkëshorti i pastrueses që vodhi mijëra euro...

Flet me lot në sy bashkëshorti i pastrueses që vodhi mijëra euro në shtëpitë në Tiranë

Spartak Dobi, bashkëshorti i pastrueses Rezarta Dobi ka folur në Euronews Albania, pasi gruas së tij iu sekuestruan mbi 400 mijë euro të cilat i kishte vjedhur në shtëpi të ndryshme të Tiranës.

Me lot në sy ai shprehet se nuk ishte në dijeni për veprimet që bënte gruaja, ndërsa shton se gjendja e tyre ekonomike ishte shumë e mirë.

Ai tha se nuk di asgjë në lidhje me vjedhjet që ka bërë gruaja së bashku me djalin e tij.

“Nuk kam pasur dijeni për ngjarjen e as nuk dua të kem. Kam 25 vite me të. Kam dy kalamaj me të. Gocën e kam shtatzënë po qan. Djali nuk kishte pse të futej në këtë ngjarje. Nuk e di të saktë mirë, i vrasë të gjithë.  Policia ka ardhur pardje. Policia i gjeti dje paratë, unë nuk kam ditur gjë. Unë marrë pension të mirë. Kam punuar vet polic.”- thotë Spartak Dobi.

Ai tha se ditën e sotme ka takuar ministrin e drejtësisë Ulsi Manja, i cili i ka premtuar se djalin e tij Havier Dobi që vodhi një banesë së bashku me nënën do të bëjnë çmos që ta lirojnë nga burgu.

Më tej i moshuari thotë se 23-vjeçari është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje me vjedhjet për të cilat akuzohet.

“Sot kam qëndruar gjithë ditën me ministrin e drejtësisë. I kam treguar për ngjarjen e më tha do të bëjmë çmos që djalin ta lirojmë, por gruan jo. I thashë gruan çojeni më tej Stambollit. Djali nuk ka faj, e ka mësuar e ëma. I kishim në rregull të gjithë gjërat. Djali shkonte punonte natën”, tha ai.

“Gruaja është ndihmuar nga familjarët e saj”

Ai theksoi se paratë janë gjetur në shtëpinë e tij, por që bashkëshortja e tij është ndihmuar nga të afërmit për t’i fshehur në banesë.

Më tej ai theksoi se gruaja e tij nuk i dha shkasë të dallonte që po vidhte ndërsa theksoi se edhe paratë e pensionit ia dorëzonte asaj.

“Nuk e di ku i çonte paratë, unë e merrja rrogën dhe ia jepja gruas. Kërkoj nga mediat që mos të gënjejnë. Paratë janë gjetur në shtëpinë time, nuk ka shanse që gruaja ti ketë futur atje. Dyshoj se janë të implikuar dhe familjarët e bashkëshortes time. Ka shumë. Ta lënë motrën pa bukë, unë djalit tim do i çojë.”- shtoi ai.