Vjeshta e nxehtë shfaq virozat e verës edhe në shtator. Tri ditët e fundit është regjistruar një fluks pacientësh me probleme gastro-intestinale. Vetëm në Urgjencën e Pediatrisë në QSUT 1200 fëmijë kanë marrë ndihmë mjekësore.
“Është një virozë që vjen me përfundimin e sezonit të plazhit dhe fillimin e kopshtit dhe çerdheve dhe prek fëmijët nga 0-6 vjeç. Rastet e tjera mbi moshën 6 vjeç janë më sporadike”, shprehet pediatria Donika Jorga.
Dyndja e pazakontë e pacientëve drejt Qendrës Spitalore ka detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të hapë tre urgjenca të tjera në poliklinikat e lagjeve në Tiranë. Qendra Shëndetësore numër 7 në zonën e Laprakës, 8-a në zonën e ish-Bllokut dhe Poliklinika 10 në zonën e Oxhakut, do të punojnë 24 orë për të përballuar fluksin e virozës së vjeshtës.
“Nëse do të shkonim të gjithë në QSUT, për çdo lloj situate që kemi dhe në rastet kur nuk kemi një situatë urgjente do të pengojmë marrjen e shërbimit për ata që kemi urgjencë dhe sigurisht që virozat mund të jenë nga më të ndryshmet”, shtoi mjekja Jorga.
Si në çdo periudhë virozësh, mjekët këshillojnë që të konsumohen sa më shumë lëngje, ushqime të freskëta, higjienë dhe të mbahet në kontroll temperatura.