Politika Fluturimet Prishtinë-Beograd/ Rama: Po ta kisha thënë unë, do të më kishin...

Fluturimet Prishtinë-Beograd/ Rama: Po ta kisha thënë unë, do të më kishin prerë kokën

Kryeministri Edi Rama ka folur në Këshillin e Atlantikut për “Shengenin Ballkanik” dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për akuzat në drejtim të tij, ndërsa shtoi se për momentin është një “tradhtar i përkryer”.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha mes të tjerash se “do t’i kishin prerë kokën” nëse do të kishte iniciuar marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës për rikthimin e fluturimeve në linjat ajrore.

“Ambasadori Grenell nxiti marrjen e vendimit për të vendosur fluturimet mes Kosovës dhe Serbisë, por po ta kisha thënë unë ndoshta nuk do të isha këtu sot, ndoshta do të më kishin prerë kokën. Kosova është realitet dhe Serbia duhet të çlirohet nga ky makth dhe ta njohë”.

Sa i përket qeverisë së re të krijuar në Kosovë, kryeministri nënvizoi se mezi pret që të fillojë nga puna dhe bashkëpunimi mes dy vendeve. Nuk la pa përmendur edhe çështjen e kufirit, për të cilën u shpreh se ka qenë ëndrra e tij.

“Albin Kurti? Poezia e opozitës nuk është e njëjtë me prozën e qeverisë. Mezi pres të punoj së bashku me ata. Kufiri është një temë që ka qenë gjithmonë ëndrra ime, që të bëhet fluid. Por sapo ta përmendja këtu apo në Bruksel, njerëzit do të thoshin ‘mos je çmendur, kjo është Shqipëria e madhe’. Tani kemi një marrëveshje që kufijtë mund të jenë të hapur. Binda Presidentin e Serbisë që të mos ta linin jashtë lëvizjen e njerëzve, se donin vetëm kapitalin, se kishin frikë se po të hapeshin kufijtë do të bëhej Shqipëria e Madhe.”