Aktualitet OFL shënjestron Plarent Dervishaj dhe Suel Çelën

OFL shënjestron Plarent Dervishaj dhe Suel Çelën

Në vijim të operacionit Forca e Ligjit, zëdhënësja e OFL në një deklaratë për mediat njoftoi se ka dorëzuar kërkesat për justifikim pasurie dy personave të tjerë të përfshirë në botën e krimit.

OFL u ka dërguar kërkesë me shkrim për justifikim pasurie Plarent Dervishajt dhe Suel Çelës.

I pari me banim në Durrës  rezulton në hetim në Gjermani për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”.

Ndërsa, i dyti nga Elbasani rezulton i dënuar në Itali për trafikim narkotikësh.

Siç tha zëdhënësja e OFL, të dy shtetasit, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.

Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

“Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti”, tha ndër të tjera zëdhënësja.

OFL tha se të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre.

“Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët”, tha ajo.

Në dy ditët e para, OFL u ka dorëzuar kërkesat për të provuar burimin e ligjshëm të pasurive Lulzim Berishës, Ardian Çapjajt, Dashamir Gjokës, Emiljano Hysenajt dhe Edlir Hysenajt.