Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të dytë të këtij vitit, borxhi i jashtëm i ekonomisë shqiptare ra me 82 milionë euro.
Stoku total i detyrimeve që sektori publik dhe privat në Shqipëri ka ndaj kreditorëve jo rezidentë zbriti në 8.34 miliardë euro. Borxhi është ndjeshëm më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por ky është kryesisht efekti i eurobondit të emetuar nga qeveria shqiptare në tetor të vitit të kaluar.
Është borxhi qeveritar ai që dha ndikimin kryesor për rënien e borxhit të jashtëm për tremujorin e dytë, i cili ka rënë me rreth 67 milion euro.
Një prej ndikimive kryesore në këtë rënie është mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit, sepse statistikat e borxhit qeveritar raportohen në lekë dhe më pas konvertohen në euro për efekt të njehsimit të të dhënave në publikimin e borxhit të jashtëm.
Pjesa tjetër e rënies së borxhit të jashtëm erdhi kryesisht nga pakësimi i huadhënies së kompanive të huaja për filialet e tyre në Shqipëri. Ky zë i borxhit ra me 20 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit.
Në vitet e fundit, rritja e borxhit të jashtëm të ekonomisë shqiptare ka qenë mjaft e moderuar dhe e përqendruar sidomos te qeveria shqiptare. Sektori bankar dhe ai privat përgjithësisht nuk ka pasur nevojë për linja financimi nga jashtë, edhe sepse tregu i brendshëm ka qenë përgjithësisht mjaft likuid.
Qeveria mban 45% të totalit të borxhit të jashtëm, e ndjekur nga borxhet e ndërmarrjeve të huaja kundrejt aksionerëve të tyre me 20% dhe nga detyrimet e sektorit bankar me 17%./ Scan