Roli i grave botuese në historinë e edukimit të shoqërisë shqiptare pas viteve 90-të është vënë në pah gjatë një Forumi të quajtur “Gruaja dhe Libri” organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. E pranishme në këtë Forum ishte dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Në historinë e botimeve shqiptare këto tre dekada, roli juaj është tepër i rëndësishëm, jo vetëm në krijimin e një tregu të munguar libri, por dhe në edukimin dhe nxitjen ndaj leximit”, u shpreh drejtorja e QKLL, Alda Bardhyli.
Puna në editorinë shqiptare bëhet nga gratë dhe vajzat të cilat i kanë dhënë hov një industrie që ka shërbyer në emancipimin e shoqërisë.
Irena Toçi, drejtuesja e botimeve ‘Toena’, u ndal në rolin e jashtëzakonshëm dhe progresin e gruas shqiptare në biznes, duke pohuar se vitet e fundit roli I gruas është më dominant. Për botuesen Rita Petro, duhet të bëhet më shumë në dokumentimin e veprave të autoreve gra në historinë e librit shqip. Ne ende nuk kemi sot një antologji apo veprat e plota të feministeve të para shqiptare, të viteve 30-40-të, si Selfixhe Ciu, Ollga Pllumi, Musine Kokalari, etj. Mimoza Ahmeti bëri një histori të gruas shqiptare, duke treguar se pozitat e saj kanë qenë gjithnjë dytësore në raport me burrat, pavarësisht progresit vitet e fundit.
“Duhet të krijohet një fond i posaçëm për të përkthyer autoret gra në gjuhë të tjera. Deri tani kultura është kryesuar nga burrat. Shumë vepra të arrita të letërsisë shqipe nga autore gra duhet të njihen ndërkombëtarisht, si një vlerë e rëndësishme e identitetit tonë”, tha Ahmeti. Idenë e krijimit të një shtëpie përkthimi sipas modelit të vëndeve të njohura e hodhi dhe përkthyesja Diana Kastrati. Ajo solli modelin e Italisë, ku këto strehëza letrare kthehen në një mundësi të mirë komunikimi për letërsinë vendase. Krijimi i një kolane me autore gra nga ana e QKLL-së është sugjeruar nga Ahmeti.
Në takim morën pjesë drejtuese të shtëpive botuese të njohura shqiptare si Mariana Ymeri, Arlinda Dudaj, Vasilika Tafa, Aida Baro, Irena Toci, Irena Buzi.