Kryesore Meghan Markle, naive apo kalkuluese? Kush është gruaja që po trondit Kurorën

Meghan Markle, naive apo kalkuluese? Kush është gruaja që po trondit Kurorën

Ajo thotë se përfundoi në “kurth”. Por për dyshuesit ajo ka planifikuar gjithçka.

Kush është në të vërtetë Meghan Markle? Një e re naive dhe idealiste që përfundoi e bllokuar në spiralet e një institucioni të djathtë? Apo një llogaritare e aftë, që konkretizoi në perfeksion një plan të përgatitur në detaje?

Versioni i parë është ai që dukesha e Sussex deklaroi gjatë intervistës me Oprah Winfrey. Ajo vetë pranoi se ishte “naive” dhe se nuk e kishte kuptuar në fillim se çfarë do të sillte të martoheshe me një anëtare të familjes mbretërore britanike. Tregoi se për një amerikane si ajo, titujt fisnikë dhe rregullat mbretërorë nuk kishin ndonjë domethënie të veçantë; madje tha se nuk e dinte kush ishte fiks Harry dhe që nuk shkoi në Google për të kërkuar informacione rreth tij.

Emblematik në këtë kuadër është edhe episodi për takimin e parë me mbretëreshën. Në momentin e fundit, Harry e pyeti: “Po ti di vërtet si ta bësh nderimin”? Meghan ra nga retë. Mendonte se ritualet e përuljes ishte thjesht ceremoniale, diçka për t’u ekzekutuar vetëm në publik, ndoshta vetëm për fotografët. Por jo, monarkia ndjek një protokoll të rreptë që duhet zbatuar në çdo momente. Dhe kështu iu desh Sarah Ferguson, gruaja e princit Andrea dhe teze e Harry-t, t’i shpjegonte amerikanes së vështirë se si t’i përkulte gjunjët në mënyrën e duhur (“bëra një përkulje tepër të thellë”, zbuloi tani Meghan).

Pra, pothuajse një e humbur, Meghan, përfundoi në një kurth (siç tha Harry, ai, babai i tij, vëllai i tij, janë të gjithë të “futur në kurth”). Dhe për aktoren kaliforniane Kensington Palace kthehet në një kafaz, që ajo e krahason me jetën në lockdown për shkak Covid. Madje Meghan tha se u ndje si Sirena disneyana që për t’u martuar me princin humbi zërin dhe pastaj në moment të fundit e rigjet. Ashtu siç ka bërë ajo, që i dha jetë një përralle ku heroina është përfundimtare dhe e padiskutueshme.

Por mosbesuesit e saj ndjekin një tjetër narrativë: që shikon një aktore që nuk ka mundur kurrë të shpërthejë dhe e gjen karrierën e saj të ngecur. Dhe në këtë mënyrë vendos t’i japë një kthesë jetës së saj. Shkon në Londër me qëllimin e qartë për të gjetur një burrë të pasur dhe të famshëm. Dhe bën bingo: sepse arrin të bëjë goditje mbi një princ, një djalë simpatik, që nuk i ka zgjidhur plotësisht problemet psikologjike, por që nuk është shquar ndonjëherë nga ana intelektuale.

Se cila ishte dinamika mes të dyve e tregojnë zërat nga Pallati, që e cilësojnë atë si “Dukesha e Vështirë” dhe ai si “Pengu” i saj. Madje, ajo që në muajt e parë pas martesës kishte planifikuar “Megxit”, largimin nga Oborri.

Thelbësisht një hap i madh në karrierë për një alpiniste sociale që gjithnjë e ka ditur se e ardhmja e saj nuk ishte t’i kalonte ditët me shtrëngime duarsh dhe inaugurimesh shkollash, por të kthehej në SHBA e mbushur me lavdi mbretërore (dhe mundësisht me aureolën e viktimës): Një lexim që duket se konfirmohet nga zgjidhjet e bëra në vitin e fundit, nga rezidenca milionere e blerë në Malibu, dy hapa larg shtëpive të tjera të yje hollivudianë, te kontratat e arta të sigluara me Netflix dhe Spotify, deri te zërat për një hyrje të mundshme në politikë.

Atëherë ku qëndron e vërteta? Vetë qytetarët britanikë janë të ndarë. Sipas një sondazhi të publikuar dje, një pjesë e madhe rreshtohen akoma në mbështetje të mbretëreshës, por një pjesë e mirë mbajnë anën e Harry dhe Meghan. Dhe mbi të gjitha, mes të rinjve, pjesa dërrmuese i konsideron dukët e Sussex si viktima, ndërsa ata over 50 mendojnë se çifti e kërkoi vetë.

E vështirë të vesh peshoren nga një anë. Sigurisht, ardhja e Meghan në familjen mbretërore përfaqësoi një oportunitet rinovimi, siç tregonte euforia kolektive e ditëve të para, por në fund ajo doli një trup i huaj dhe i pamundur të asimilohej, për shkak të një konflikti kulturash që provokoi një krizë refuzimi dhe përfundoi duke destabilizuar monarkinë. Siç shkruanin gazetat, kjo krizë më e rëndë në 85 vitet e fundit, që nga ditët abdikimit të Eduardit të VIII: dhe bashkimi i pjesëve të lëna nga cikloni Meghan nuk do të jetë i lehtë. /Corriere della Sera/American Eye