Klima dhe ekonomia. Këto dy tema të rëndësishme ishin në qendër të punimeve të Forumit Ekonomik Botëror, që këtë vit mbajti dhe sesionin e 50 në Zvicrës. Mijëra biznesmenë dhe udhëheqës nga 114 vende të ndryshme të botës ishin të pranishëm në qytetin malor të Davosit, në forumin me temë “Aksionerët e një bote kohezive dhe të qëndrueshme”.
Përballë elitave globale, u vendos sërish aktivistja suedeze, Greta Thunberg. Kritikat e adoleshentes aktiviste, irrituan paksa Presidentin amerikan, Donald Trump, i cili shprehu dashurinë e tij për mjedisin. Por sigurisht nuk humbi fokusin nga ajo që di të bëjë më mirë, biznesi dhe mburrja.
“Me krenari njoftoj se Amerika është në mes të një bumi ekonomik, të cilin bota nuk e ka parë kurrë. Ne rifituam hapin tonë, rizbuluam shpirtin tonë dhe rizgjuam makinerinë e fuqishme të sipërmarrjes amerikane. Amerika po lulëzon”, tha ai.
Megjithatë, atmosfera jashtë godinës ku mbahej Forumi i Davosit nuk ishte dhe aq pozitiv. Mijëra persona protestuan kundër liderëve shtetërorë dhe biznesmenëve duke kërkuar të bëhet më shumë për mbrojtjen e mjedisit dhe për një sistem më të mirë ekonomik. Madje në një shkëmb në afërsi të Davosit u vendos dhe një baner gjigand që i drejtohet presidentit amerikan, dhe në të cilin shkruhej: “Lufto ndryshimet klimatike, jo Iranin”.