Mirënjohjen e madhe për punën e lavdërueshme dhe të vështirë që po bëjnë në këtë situatë për vendin, në përballjen me pandeminë e koronavirusit, mjekët e Spitalit Infektiv e kanë ndjerë sot edhe nga Zjarrfikësit e Tiranës.
Këta të fundit i kanë shkëputur mjekët, infermierët dhe personelin shëndetësor disa momente jashtë korridoreve dhe dhomave të spitalit, për të parë nën rrezet e diellit surprizën e dedikuar për ta.
Ata shkuan pranë spitalit dhe duke ruajtur distancën, me disa pankarta që mbanin në duar kanë dhënë mesazhet e tyre dhe falënderimet për mjekët.
“Zjarrfikësit e Tiranë falënderojnë dhe nderojnë mjekët dhe infermierët e Spitalit Infektiv në QSUT”, shkruhet në një njoftim të bërë nga Zjarrfikësit.
Ky gjest i veçantë ka bërë që disa prej mjekëve të preken e të përloten.