Fotoja prekëse e një vajze të vogël nga Hondurasi me lot në sy, me vështrimin kthyer nga e ëma, e cila kontrollohet nga një agjent në kufirin amerikan, u shpall të enjten fotoja fituese e vitit e çmimit prestigjioz “World Press Photo”.
Kjo foto u fiksua në objektin e aparatit nga John Moore në qershor 2018, fotograf i “Getty Images” shfaq Sandra Sanchez dhe vajzën e saj Yanela në momentin që janë pikasur nga disa oficerë në përpjekje për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës.
Juria dha vlerësimin maksimal pasi kjo foto, e cila ka bërë xhiron e botës, dëshmon një formë dhunë në një dimension tjetër, atë psikologjik.
Përballë emocionit të kapluar nga një mori ndjesish si frikë, ankth dhe pështjellim që të krijon fotoja, shërbimi amerikan i doganave dhe mbrojtja e kufijve sqaron se Yanela dhe nëna e saj nuk ishte në mesin e mijëra emigrantëve që ndaheshin në momentin e mbërritjes në SHBA.
“Megjithatë, një indinjatë kolektive kundër kësaj praktike të diskutueshme çoi në rishikimin e politikës nga ana e presidentit Donald Trump qershorin e kaluar”, pohon paneli i jurisë së konkursit me seli në Amsterdam.
John Moore po fotografonte agjentët e shërbimeve kufitare mbrëmjen e 12 qershorit, në zemër të luginës së Rio Grande, në momentin që ata ndalojnë një grup personash që po përpiqeshin të kalonin kufirin.