Një fotografi e babait dhe vajzës së vogël të mbytur në lum në kufirin Meksikë-SHBA, ka tronditur mbarë opinionin publik. Imazhet tronditëse janë publikuar nga CNN dhe janë një dëshmi rrënqethëse e asaj çka po ndodh me refugjatët që tentojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ngjarja
Oscar Alberto Martinez kishte kaluar lumin Rio Grande dhe ishte kthyer për të marrë gruan dhe vajzën e tij 2-vjeçare. Vajza e vogël Angie kërceu në trupin e të atit për të kaluar lumin bashkë me të. Por nuk mundën t’ia dilnin për shkak të rrymës së fortë. Gruaja, Tania, pa vajzën dhe bashkëshortin teksa po mbyteshin. Ngjarja ka ndodhur ditën e diel.
Trupat e tyre të pajetë u gjetën në anën meksikane të lumit Rio Grande. Historinë rrënqethëse e rrëfeu për gazetën meksikane “La Jornada”, e cila publikoi edhe fotografinë e rëndë, që më pas u botua edhe nga mediat amerikane e botërore.
Tmerri
Bashkëshortja e Martínez, Tania Vanessa Ávalos, 21 vjeç, tha se kishte parë e tmerruar gjithë ngjarjen. Ajo tregoi se Martínez kishte kaluar fillimisht lumin me të bijën, por ishte kthyer për të marrë atë, kur një rrymë e fortë i kishte marrë me vete.
Ávalos tha gjithashtu se të tre kishin lënë vendin e tyre më 3 prill dhe pas muajsh të tërë në pritje për një takim për të bërë kërkesë për azil, kishin vendosur të provonin të futeshin në SHBA duke kaluar lumin, vendim që rezultoi fatal për familjen.
Debati në SHBA
Kjo foto është një dëshmi që tregon qartë se çfarë po ndodh në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, ku refugjatë të shumtë përpiqen të kalojnë kufirin për të hyrë në SHBA. Por, politikat bllokuese të shteteve kanë detyruar refugjatët që të gjejnë mënyra të rrezikshme për të hyrë në tokën amerikane.
Për t’iu përgjigjur krizës së emigrantëve, demokratët miratuan me votat e tyre në Kongres një paketë me 4,5 miliardë dollarë për t’u përdorur në kufirin jugor, megjithatë do të jetë e vështirë që projektligji të kalojë në senatin e kontrolluar nga republikanët.