Aktualitet Shkarkohet prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci

Shkarkohet prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Krimeve të Rënda, Eugen Beci. Në seancën dëgjimore, prokurori i Krimeve të Rënda u përball me një sërë problemesh që iu vunë në dukje nga KPK.

Ai është hetuar për kriterin e figurës dhe të pasurisë. Gjatë seancës, prokurorit Beci i është komunikuar nga KPK se i janë gjetur një sërë problemesh me pasurinë e tij, kryesisht për blerjen e një apartamenti 169 metra katrorë në kryeqytet.

Po ashtu probleme iu gjetën edhe gjatë kontrollit të figurës, përfshi kontaktin e papërshtatshëm me një person të publikuar gjatë debatit publik për komplotin e vrasjes së deputetit Tom Doshi. Kjo çështje, më vonë ka rezultuar një ngjarje e sajuar.

Trupa që ka kryer hetime ndaj prokurorit të Krimeve të Rënda kryesohej nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pine dhe anëtar Roland Ilian.

Beci nuk dha shpjegime lidhur me pasurinë e tij. Ai i tha trupës gjykese që i qëndronte shpjegimeve me shkrim mbi pasurinë, por kërkoi që ngjarja sipas të cilës ai kishte kontakt të papërshtatshëm me një person, të mos merrej në konsideratë.

Gjithashtu, ai shpjegoi se ngjarje të ngjashme mund të përdoreshin në vijim ndaj çdo zyrtari publik.