“Serbia nuk do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2025!” Ky ishte mesazhi i dymbëdhjetë deputetëve francezë, duke vulosur kështu faktin se Franca nuk është aspak dashamirëse ndaj zgjerimit të BE në të ardhmen. “Jo”-ja për Serbinë në BE erdhi si një dush i ftohtë, por jo i papritur. Në fakt, ajo konfirmoi atë që askush në Tiranë dhe Shkup nuk do të donte të dëgjonte: Franca mund të votojë kundër hapjes së negociatave në qershor.
Ky mesazh nga Parisi tregoi edhe njëherë se zgjerimi i Bashkimit nuk është aspak një ide e pranueshme midis qytetarëve të BE dhe asnjë nga politikanët evropianë nuk është gati të bëhet viktimë e këtij rreziku politik.
“Pranimi i Serbisë në BE, pro ose kundër”, kjo ishte pyetja për 12 deputetët në një debat televiziv në televizionin shtetëror francez. Vetëm dy kandidatë thanë se Serbia do të hyjë në BE deri në vitin 2025. Ndër ata që u pozicionuan kundër Serbisë në BE deri në vitin 2025 ishte deputetja e partisë qeverisëse të Presidentit Emmanuel Macron dhe ish-ministrja e Punëve Europiane, Nathalie Loiseau, e cila vizitoi Beogradin në mars.
“Gjendja aktuale e Bashkimit Evropian nuk lejon hyrjen e vendeve të reja”, tha Loiseau, duke shtuar se Serbia ka bërë përparime të mëdha, por se Franca si një mike e vërtetë, është e detyruar të tregojë të vërtetën.
Kjo e vërtetë, sipas analistit politik Srđan Cvijić, është pjesë e një retorike të ashpër që sinjalizon se Franca është kundër anëtarësimit të vendeve të Ballkanit.
“Qëndrimi i Parisit vjen si rezultat i faktit se Ballkani për Francën nuk është prioritet në kontekstin gjeopolitik. Sondazhet e opinionit publik treguan se shtetasit francezë në përgjithësi nuk e mbështesin zgjerimin dhe për këtë arsye politikanët nuk duan të rrezikojnë”, thotë Cvijić.
Opinioni i fundit i realizuar nga agjencia britanike “YouGov”, e realizuar në shtatë vende europiane (Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Suedia, Norvegjia, Finlanda dhe Danimarka), tregoi se Franca është më skeptikja për zgjerimin e unionit. Deri në 52% të anketuarve francezë nuk duan që Serbia të bashkohet me Bashkimin Europian.
“Demokracia e pazhvilluar, korrupsioni i përhapur dhe perceptimi se anëtarët e rinj po u marrin francezëve vendet e punës, janë vetëm disa nga arsyet e këtij qëndrimi të opinionit publik francez”, shpjegon Cvijić, duke shtuar se kjo sigurisht nuk do të ndihmojë përparimin e Ballkanit drejt BE.
Megjithatë, Serbia nuk është vendi i vetëm që mund të lihet jashtë BE-së për shkak të Francës, pasi në të njëjtën situatë ndodhen edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Për shembull, Komisioni Europian i bëri një premtim Maqedonisë së Veriut dhe qeverisë së Zoran Zaev se, nëse zgjidh mosmarrëveshjen me Greqinë, do të marrë si shpërblim hapjen e negociatave për anëtarësim. Por, edhe pse zgjidhja rreth emrit u arrit, Franca filloi të paralajmëronte Maqedoninë e Veriut se negociatat nuk do të fillonin siç ishte premtuar më parë.
Sipas analistit, Loic Tregoures, mosgatishmëria e BE-së për të përmbushur premtimin ndaj Shkupit por edhe ndaj Tiranës, mund të ndikojë edhe në çështjen e Kosovës.
“Nëse Franca vazhdon të bllokojë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, unë nuk shoh ndonjë arsye pse presidenti Aleksandër Vuçiç do të besonte se njohja e Kosovës do t’i japë atij sigurinë për anëtarësimin në union”, thotë analisti. Ai shton se “ballkanasit nuk janë budallenj dhe nuk shohin shpresë reale për hyrjen në BE”.