Franca mirëpriti propozimin e Bashkimit Europian për pranimin e anëtarëve të rinj, qasje e cila mund të lehtësojë fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore pas vetos së vitit të kaluar të presidentit Emmanuel Macron.
“Ky është një hap në drejtimin e duhur, një ndryshim i vërtetë që propozohet. Një ndryshim i rëndësishëm dhe pozitiv”, i tha një zyrtar i Elysee-së agjencisë Reuters.
I pyetur nëse reforma e propozuar ishte e mjaftueshme për të kapërcyer kundërshtimet e Francës, zyrtari tha se Parisi do të konsultohet edhe me vendet e tjera të bllokut përpara vendimmarrjes.
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin Olivér Várhelyi zbuloi më herët këtë javë metodologjinë e re. Ajo u jep vendeve anëtare fuqinë për të ngadalësuar apo për të përmbysur procesin e pranimit, apo dhe rifillimin e tyre nëse vërehet ngadalësim i reformave.
Reformimi i metodologjisë së pranimit të vendeve të reja në Bashkimin Europian u imponua nga Franca, presidenti i së cilës bllokoi me veto fillimin e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.
Komisioni i Bashkimit Europian duhet të plotësojë edhe kërkesat e Francës, në mënyrë që jo të pranojë fillimin e bisedimeve me dy vendet e Ballkanit Perëndimor përpara samitit të Zagrebit në maj të këtij viti.