Sport Franca synon mbrojtjen e titullit, Deschamps: Gjithçka varet nga orari i ndeshjeve

Franca synon mbrojtjen e titullit, Deschamps: Gjithçka varet nga orari i ndeshjeve

Danimarka, Tunizia dhe fituesi i Peru-(Australi/Emiratet e Bashkuara Araba) janë kundërshtarët e Francës në grupin D të Botërorit Katar 2022, që për herë të parë në histori do të zhvillohet në dimër (21 nëntor-18 dhjetor).

Kampionët në fuqi janë një nga pretendentët kryesorë për fitimin e trofeut prestigjioz, ndërsa Didier Deschamps nuk e cilësoi aspak të lehtë grupin. Në prononcimin për beInSports, trajneri i “Gjelave” u ndal edhe te kundërshtari më i fortë në grup.

“Nuk e di nëse mund të flasim për një short perfekt. Danimarka na njeh mirë për shkak të ndeshjeve të Nations League. Duhet të kemi shumë respekt për atë ekip, pasi ata renditen në vend të 11-të në botë.

Kualifikimi do të varet shumë edhe nga koha dhe oraret kur do të luhen ndeshjet. Ka ndryshim të madh nëse luan në 13:00 apo në 20:00. Kemi një dëshirë të madhe për të bërë mirë.

Do të përpiqemi të mbrojmë titullin që fituam katër vite më parë me shumë vendosmëri dhe dëshirë për të provuar një sukses të dytë radhazi”, deklaroi Deschamps, ndër të paktët që ka fituar Kupën e Botës si lojtar dhe trajner.

Ndërkohë, Franca i gëzohet faktit që do të përballet me Danimarkën në grup. Blutë do të sfidojnë kombëtaren vikinge për herë të shtatë në grupet e një Botërori ose Europiani.

Në katër nga këto raste, Franca ia ka dalë të mbërrijë në suksesin final: konkretisht në Euro 1984, Euro 2000 dhe Botërorët Francë 1998 e Rusi 2018.