Franca është vendi i tretë më i prekur në Europë, pas Italisë dhe Spanjës, me 48 persona të vdekur dhe dy mijë e 281 raste të prekura nga virusi Covid-19.
Por, në menaxhimin e urgjencës, Franca e Macron është treguar shumë më e kujdesshme se Italia.
Franca ka ndjekur një rrugë të ndryshme nga ajo e institucioneve italiane, duke transmetuar një mesazh të qartë që nga fillimi: merrni masat paraprake dhe kujdesuni për higjienën personale, kështu mbroni edhe ekonominë e vendit.
Macron, për herë të parë, do të mbajë një deklaratë të shkurtër mbi gjendjen e krijuar në vend për shkak të koronavirusit, ku do sqarojë mirë hapat e marrë nga Franca për përballimin e situatës së krijuar, si dhe do bëjë më dije hapat e marrë për ditët në vazhdim.
Mirëpo, francezët kanë përvetësuar një qëndrim të kujdesshëm dhe optimist, pasi një pjesë e madhe e tyre mendojnë se kanë kapacitetet e duhura për të menaxhuar urgjencën, edhe atje ku mund të përkeqësohet gjendja dhe për rrjedhojë kërkohet një përpjekje akoma më e madhe e sistemit shëndetësor.
Askush nuk flet sot për një vend që investoi në shëndetësi dy vite më parë, rreth 9 për qind të PBB-së, pothuajse 3 për qind më shumë se Italia në të njëjtin vit. Për më tepër, Ministria e Shëndetësisë po shqyrton me kujdes marrjen e masave të nevojshme për atë që quhet faza përgatitore, duke filluar që nga shtrimi i pacientëve për njësi kujdesi intensiv, shtretërit e lirë dhe mbrojtjen e stafit.
Nga fillimi i epidemisë e deri më sot, Franca ka ndërmarrë disa masa kufizuese: bllokim institucionesh publike, muze dhe opera, shkollat dhe universitetet, anulimi i disa panaireve bujqësor dhe kulturor, si dhe maratonën e Parisit, ku ishte parishikuar të merrnin pjesë rreth 44 mijë persona. Megjithatë, zgjedhjet lokale nuk janë anuluar.