Zidane duhet të presë. Didier Deschamps ka rinovuar zyrtarisht kontratën me Francën deri në vitin 2026. Federata Franceze e Futbollit ka njoftuar vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin aktual.
Me Deschamps në krye, ‘gjelat’ fituan Botërorin e 2018-ës në Rusi dhe u shpallën nënkampione botë në Katar 2022, pas humbjes me penallti në finale ndaj Argjentinës.
Deschamps e ka marrë drejtimin e Francës në vitin 2012. Kontrata e tij përfundoi me Botërorin e Katarit, por menjëherë pas tij drejtuesit e Federatës franceze bënë të ditur se kishin arritur një akord për rinovimin. Tani gjithçka merr formë zyrtare, Deschamps do të jetë në drejtimin e Francës deri në Botërorin e radhës.
Muajt e fundit ishte folur shumë për Zinedine Zidane si pasues të Deschamps, por ecuria e mirë e skuadrës në Katar bëri që drejtuesit të vendosnin për të vazhduar me Deschamps.