Politika Njoftimi i pazakontë për mandatin e Yuri Kim, Xhaçka: E bëmë për...

Njoftimi i pazakontë për mandatin e Yuri Kim, Xhaçka: E bëmë për t’i mbyllur gojën thashethemeve

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka zhvilloi një konferencë për mediat me kryenegociatoren me Bashkimin Europian Majlinda Dhukën, me tematikë Shqipëria në marrëdhëniet me jashtë dhe rrugën e integrimit europian 2022 – 2023.

Ministrja Xhaçka renditi disa nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2022 të politikës së jashtme si marrjen e mandatit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Tiranë dhe hapjen e negociatave.

Gjatë konferencës, ajo u pyet mbi një njoftim të pazakontë të ministrisë së Jashtme lidhur me mandatin e ambasadores amerikane Yuri Kim.

“Unë besoj se nuk kërkon ndonjë shkencë të madhe për ta ditur se kur fillon dhe mbaron mandati i një ambasadori aq më tepër për atë të SHBA që ka vëmendje dhe interes të veçantë

Nuk kemi thënë asgjë më shumë sesa ajo që në fakt u tha në media edhe përpara së ky informacion të bëhej i ditur nga ne, ndërkohë që ky informacion ka qenë prej shumë kohësh në ministri kur media se ka ditur dhe e kemi bërë publike kur u tejkalua ky proces nga ministria.

Dhe në atë moment kur ky informacion ka shkuar përtej nesh tek institucionet e tjera (pra përtej ministrisë së jashtme) tek ne kanë filluar telefonatat dhe kërkesat për informacion.

Në këto kushte ne gjykuam që ishte vendi për t’i prere rrugën thashethemeve duke sqaruar se ishte një gjë që po ndodhte rëndom nuk do shumë mend për të llogaritur se kur fillon dhe mbaron mandati i ambasadores dhe u gjykua qe ky proces të mos behej pis me teori komploti kundër ambasadores.

Nuk kemi komentuar as procedurat e SHBA e as kandidatët e SHBA nuk është nga ne për të diskutuar. I kemi  vënë kapak disa thashethemeve dhe aludimeve që po bëheshin.

Unë i mirëkuptoj edhe kritikët e këtij vendimi por ajo që nuk kuptoj është që papritur që ky vendim apo informacion i dhënë nga ministria përshkruhet nga opozita si një sulm ndaj SHBA ndaj ambasadores së SHBA dhe një ambasadoreje që është një diplomate e SHBA së cilës unë besoj se i kemi një borxh mirënjohje për punën e përkushtuar që ka bërë në thellimin e marrëdhënies sonë strategjike…

Marrëdhënia nuk ka qenë ndonjëherë më e fortë dhe më e madhe nga çfarë është sot me SHBA”, u përgjigj Xhaçka.

Ajo njoftoi gjithashtu për lëvizje të reja ambasadorësh por pa përmendur emra.

Xhaçka njoftoi sërish se Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet këtë vit në Tiranë.

“Edhe këtë vit Shqipëria kryeson Procesin e Berlinit dhe do të mirëpresë samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit. Samitet në Tiranë në 2022 dhe 2023 janë shprehje e forcimit të rolit të Shqipërisë në rajon,”  u shpreh Xhaçka.

Ajo njoftoi se pritet hapja e ambasadës shqiptare në Ukrainë.

E pyetur nga mediat, Xhaçka nuk dha ndonjë qëndrim të ri lidhur me mandatin e saj si deputete kur tha se ajo nuk ka shkelur ligjin, ndërsa njoftoi po ashtu e pyetur nga mediat se po negociohet në nivel teknik me Greqine për marrëveshjen për Detin.

Ne foto: Kryenegociatorja Majlinda Dhuka

Nga ana e saj, Kryenegociatorja me BE-në Majlinda Dhuka u shpreh se mbajtja e samitit të BE-Ballkani Perëndimor forcoi mbështetjen për integrimin gradual të rajonit në BE bazuar mbi merita.

“Në vitin 2022 mbështetja unanime e vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së duke dhënë dritën jeshile për nisjen e negociatave shënoi një moment histori mbi vendin, Shqipëri ai çeli negociatat mbi bazën e meritës. Çoi para axhendën e reformave të rëndësishme të vendit. Progresi i dukshëm i Shqipërisë u konfirmuan dhe në raportin e KE-së për Shqipërinë. Struktura institucionale janë forcuar dhe Shqipëria ka bërë qartas progres, sipas raportit të KE-së. Në 2022 u mbajt në Tiranë për herë të parë samiti i BE- Ballkani Perëndimor, i cili riafirmoi rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor si një rajon me perspektive të qartë Europiane. Mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Riafirmoi se BE mbetet partneri më i afërt i yni. Samiti forcoi mbështetjen për integrimin gradual të rajonit bazuar mbi merita”, tha Dhuka.