Gjykata e Tiranës ka dënuar këtë të mërkurë me 17 vjet burg Francesco Becchetti-n. Biznesmeni italian u dënua për falsifikim dokumentesh, për pastrim parash, për krijim të skemave mashtruese, për vjedhje duke shpërdoruar detyrën.
Becchetti ndodhet aktualisht në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar.
Bashkëpunëtori i tij Mauro De Renzi, i akuzuar për të njëjta akuza, u dënua me 16 vjet burg, ndërsa dy të pandehur janë dënuar me shërbim prove.
Gjykata dënoi edhe nënën e Becchetti-t Liljana Condomiti, me 8 vite heqje lirie.
Si për Becchetti-n ashtu sikur edhe për bashkëpunëtorin e tij, prokuroria kishte kërkuar nga 20 vjet heqje lirie.
Të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë vendimin në Gjykatën e Apelit.
Disa muaj më parë Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015.
Gjykata e Arbitrazhit në 2019, e dënoi Shqipërinë me 110 milionë euro, me gjykimin se mbyllja e televizionit Agon ishte motivuar politikisht.