Bota Ukraina shpall gjendje të jashtëzakonshme, thërret rezervistët ushtarakë të moshës 18-60 vjeç

Ukraina shpall gjendje të jashtëzakonshme, thërret rezervistët ushtarakë të moshës 18-60 vjeç

Ukraina ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e saj, përveç rajoneve Donetsk dhe Luhansk, ku gjendja emergjente është e vendosur që nga viti 2014.

Njoftimin e bëri një zyrtar i lartë i sigurisë në Ukrainë, Oleksiy Danilov, të mërkurën, i cili njoftoi se gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë, por mund të shkojë deri në 60 ditë.

Separatistët pro-rusë po kontrollojnë rajonet e Donetskut dhe Luhanskut që nga viti 2014.

Presidenti rus Putin i njohu këto rajone si shtete të pavarura të hënën, dhe miratoi dërgimin e trupave ushtarake atje gjatë kësaj jave. Putin tha se trupat po i dërgon “për arsye paqeruajtëse”.

Danilov tha gjithashtu se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy nuk kishte diskutuar zhvillimin e armëve bërthamore, diçka që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se përbën një kërcënim strategjik për Rusinë.

Ukraina po përballet me kërcënimin rus, ku Perëndimi alarmon për një pushtimi të afërt në shkallë të plotë nga Rusia.

Lëvizja e Putinit për të njohur pavarësinë e dy rajoneve separatiste u dënua nga Perëndimi, ku vendet deklaruan se do të shtojnë sanksionet ndaj Rusisë.

Ndërkohë, Ukraina ka deklaruar se po thërret rezervistët ushtarakë të moshës 18-60 vjeç për një vit shërbimi, por pa urdhëruar një mobilizim të përgjithshëm të trupave.