Trajneri i Partizanit, Franco Lerda, në një intervistë për SuperSport foli për përgatitjet e deritanishme të të kuqve para përplasjes së dyfishtë me Qarabagun në Champions. Tekniku italian shpjegoi se tashmë e njeh më mirë skuadrën.
“Jam i bindur se kjo skuadër do të ketë vazhdimësi. Si presidenti dhe drejtori më kanë prekur telat e duhur për të pranuar. Një sfidë në një klub të rëndësishëm që kërkon vazhdimësi pas shumë vitesh pa fituar”.
Informacionet e pakta: “Kam pasur mundësi t’i njihja djemtë. Disa i kisha parë, por tani kam mendim tjetër. Kemi punuar nga ana fizike dhe kemi dy ndeshje të rëndësishme. Nuk jemi niveli top, pasi kemi ndeshje të vështira, por kemi besim të plotë se do të bëjmë mirë”.
Të rinjtë dhe eksperienca: “Nëse lojtarët janë të mirë, mosha është gjëja e fundit që ka rëndësi”.
Moduli i lojës: “Le të themi se 4-3-3 e kam preferuar për futbollistët që kam. Do të vazhdojmë kështu dhe dua të shoh skuadër sulmuese. Duhet ta përgatisim mirë ndeshjen, duke studiuar kundërshtarin dhe të jemi gati kur sulmojmë, e të mbrojmë si duhet portën tonë”.
Jeta jashtë futbollit: “Përditshmëria është normale. E dua familjen dhe i ndaj problemet me gruan e prindërit, por në fund vendos vetë. Jam trajner që e përgatis skuadrën në mënyrën time. Jam bashkëpunues dhe dua të di çfarë pretendojnë ata. Kërkoj shumë nga ata dhe nëse kemi objektiv duhet të punojmë për ta realizuar”.
Koha e lirë: “Dua të shëtis dhe të njoh kulturën. Dua të njoh qytetin dhe të njoh jetën e njerëzve. Dua ta vizitoj Tiranën sapo të kem mundësi”.