Si ka mundësi që Kina e ka shtyrë Gjermaninë që të rishqyrtojë politikën e saj industriale. Rritja e Kinës frymëzon disa mendime revolucionare në Berlin
Për vite me radhë, politika e Gjermanisë në Kinë është udhëhequr nga një moto shumë optimiste “Wandel durch Handel” (Ndryshimi përmes tregtisë). Dhe sigurisht që ka pasur shumë tregti ndërmjet këtyre dy shteteve, por ndryshimet nuk janë të llojit që synoheshin, shkruan The Economist.
Fillimisht Gjermania importonte mallra të konsumit të lirë kinez, ndërsa vetë eksportonte makina dhe pajisje të shtrenjta makinerish. Por kompanitë gjermane shumë shpejt zbuluan se tregtia me Kinën nënkuptonte braktisjen e teknologjive të reja dhe të zbatimin e rregullave bazë të tregtisë.
Kohët e fundit, disa prodhues të vegjël dhe të mesëm po i frikësohen Kinës, pasi kompanitë e saj janë bërë pjesë e rrjetit të furnizimeve të mbështetur edhe nga subvencionet e shtetit, duke u bërë kështu pjesë edhe e pazareve të ndryshme brenda Europës. Veçanërisht Gjermania është e ekspozuar ndaj politikës së re industriale të Kinës.
Këto zhvillime kanë nxitur një ndryshim qëndrimi.
“Biznesi gjerman donte që qeveria të mos përfshihej”, shprehet eurodeputeti liberal Alexander Graf Lambsdorff. Në janar të këtij viti, shqetësimet e biznesit gjerman u rritën shumë, duke u shprehur me nota dramatike në një publikim të Federatës së Industrive Gjermane, grupit më të madh të biznesit në Gjermani.
Aty ku anëtarët e saj dukur shikonin një treg të ri fitimprurës, tani ata nuk shohin më shumë se një “konkurrent të fortë”. Publikimi përmbante mbi dhjetëra rekomandime për udhëheqësit europianë, nga heqja e taksave për kërkime deri te investimet në infrastrukturën dixhitale. Mesazhi i saj kryesor ishte se Gjermania dhe Europa duhet të heqin dorë nga shpresa se Kina do të ndryshojë një ditë, por në vend të kësaj të prodhojnë politika për t’iu përgjigjur rritjes së saj. Dhe kështu kanë vepruar.
Së fundmi, Peter Altmaier, ministri gjerman i Ekonomisë dhe Bruno Le Maire, homologu i tij francez, zbuluan një projekt të përbashkët pesëfaqësh të cilësuar si “të përshtatshëm për shekullin e 21-të”. Edhe pse Kina nuk përmendej në asnjë fjali, nënteksti ishte shumë i qartë.
Këto dy shtete propozuan veprime të përbashkëta për të rritur aftësitë e Europës në drejtim të Inteligjencës Artificiale, gjë të cilën departamenti i z. Altmaier e konsideron si risinë më të rëndësishme që nga shpikja e motorit me avull. Ata kanë premtuar se do të financojnë një shumë prej 1.75 miliardë eurosh (2 miliardë dollarësh amerikanë) në drejtim të prodhimit të baterive të gjeneratës së ardhshme.
Franca dhe Gjermania duan të ndryshojnë edhe rregullat e konkurrencës të vendosura nga Komisioni Europian, pasi sipas tyre rregullat aktuale, ia vështirësojnë shumë punën firmave europiane për të konkurruar me gjigantët e mbështetur nga shteti kinez.
Propozime të tilla nuk përbëjnë aspak risi në Francë, ndërsa në Gjermani po, ato konsiderohen si një formë revolucionare e kohëve të fundit. Filozofia e saj se është detyra e shtetit që të krijojë një kornizë për sektorin privat, duke përfshirë ligje të ashpra të antitrustit dhe pastaj të lejojë që tregu të bëjë punën e tij, frymëzuan rregullat e BE-së, të cilat tani qeveria gjermane kërkon t’i rishkruajë.
Propozimet e Z. Altmaier kanë shkaktuar edhe një reagim të ashpër brenda Gjermanisë. Lars Feld, një profesor ekonomie në Universitetin e Freiburg, përfshin jo vetëm veten por edhe shumë të tjerë kur thotë se e “kundërshton fuqimisht këtë lloj ideje merkantiliste”. Kina kërcënon marrëdhëniet tashmë të trazuara të Gjermanisë me Amerikën.
Qeveria është e dyzuar nëse duhet të pranojë kërkesat amerikane për të bllokuar Huaëei, gjigandin e teknologjisë kineze, nga ndërtimi i rrjetit të saj të telekomunikacioneve 5G.
Disa analistë dhe diplomatë shprehen se ajo duhet ta bëjë këtë gjë, por Huawei mund të ofrojë një shërbim më të mirë se rivalët e saj dhe me një çmim më të ulët. Mbi të gjitha Gjermania dëshiron që të mos përfshihet në tensionet midis Kinës dhe Amerikës. Gjetja e një kompanie tjetër telekomunikacioni me kosto po aq të lirë dhe po aq efikase sa edhe Huawei do të ishte zgjidhja e duhur në këtë drejtim, por nuk është e qartë nëse në Europë ekziston një kompani e tillë.