Në vendin skandinav, janë në rritje kërkesat për blerjen ose modernizimin e 60 mijë vendstrehimeve nëntokësore të ndërtuara gjatë Luftës së Ftohtë. Një reagim emocional i popullatës pas pushtimit rus të Ukrainës, por jo vetëm…
Nga Riccardo Romani – Linkiesta
Mikaeli i vogël kërkoi që muret e dhomës së tij të lyheshin me ngjyrë blu, ashtu si qielli.
Pak kohë më parë ai mbushi 12 vjeç dhe mori si dhuratë një PlayStation për ta përdorur në ekranin e madh 60 inç, që dekoron të gjithë dhomën.
I ati, Georgu, një inxhinier kompjuterash, shpjegon me një farë krenarie se brenda 48 orësh nga njoftimi zyrtar i autoriteteve, ai mund të transferojë të gjithë familjen në apartamentin e ri, së bashku me nevojat për të mbijetuar deri në katër muaj në izolim total.
Apartamenti në fjalë, që ndodhet 10 metra nën tokë, është një bunker i vjetër i ndërtuar në vitet 1970 në kulmin e Luftës së Ftohtë. Duket se “dekoratori i strehimoreve bërthamore” është një figurë profesionale shumë e kërkuar këto kohë në mbarë Suedinë.
Nuk është ende një psikozë. Tani për tani le ta quajmë një tendencë e veçantë. Suedezët po përgatiten për luftë, por kjo nuk është vetëm një lojë fjalësh. Agjencia qeveritare MSB – e emergjencave dhe e mbrojtjes civile – ka dhënë së fundmi 10 milionë euro për një program inspektimi dhe modernizimi të të gjithë bunkerëve ekzistues në territorin kombëtar.
Ajo e Georgut dhe e Mikaelit të vogël ishte një shkollë e vjetër që ndodhej jo shumë larg Malmo – Ljungbi – që ishte shndërruar në një vendstrehim, edhe pse nga larg duket si një fermë tipike e stilit skandinav. Por nëse i afroheni dhe e shihni me kujdes, do të vini re një derë që ju çon në një botë të denjë për një film që përshkruan katastrofa.
Mure 1.5 metra të trashë, dyer metalike të përforcuara, një sistem ajrimi i pavarur i pajisur me filtra pastrimi dhe orenditë shtëpiake më të domosdoshme. Luksi brenda tyre varet nga llogaria bankare e atij që e blen. Ka nga ata që kanë nevojë për një sallë lojërash për fëmijët e tyre, të tjerë që duan një banjë të vogël etj.
Për pjesën tjetër janë kuzhina, banja, dhoma e gjumit dhe dollapët e mbrojtur nga bombat. Deri tek ato me madhësi 500 kilogram. Kostoja e përafërt e hapësirës prej gati 500 metra katrorë? Rreth 1.5 milionë euro. Aleks Brolin, agjent i pasurive të patundshme, thotë se Suedia është plot me vende të tilla, por njerëzit i kishin harruar ato.
Pushtimi rus i Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, ua rifreskoi kujtesën nënshtetasve të mbretit Karl Gustaf XVI. Pastaj mjaftuan kërcënimet bërthamore të Putinit, dhe deklarata e Emanuel Macron se NATO mund të vendoste trupa në kufi, që të niste gara e ethshme për blerjen e bunkerëve.
Dhe të tillë ka për të gjitha shijet dhe gati për të gjitha buxhetet. Ka edhe nga ata që vendosin të ndërtojnë një bunker të ri. Por e vërteta është se po vërshojnë njoftimet e atyre që vënë në dispozicion një vendstrehim të vjetër anti-bërthamor, duke treguar se tregu tashmë është i mirë-përgatitur.
Karlbring, një profesor i psikologjisë në Universitetin e Stokholmit, thotë se është i befasuar nga ky lloj ankthi: “Lufta e fundit në të cilën Suedia u përball me Rusinë daton në vitin 1809. Nuk e besoja se mund të kishte një valë kaq emocionale.
Por në përgjithësi unë mendoj se suedezët janë të vetëdijshëm se jetojnë në një kohë me shumë pasiguri, dhe thellë në vetvete ata kërkojnë një ndjenjë mbrojtjeje, dhe duhet të përpiqen që ta mbajnë situatën nën kontroll”.
Dhe mbyllja e kufijve nga Finlanda fqinje ndikoi më tej në lëvizjen vendimtare të kësaj nevoje për siguri. Bunkeri Ljungbi mund të akomodojë deri 44 persona. Por kapacitetet e bunkerëve janë të ndryshëm. Nga pesë në mbi 16.000 mijë njerëz. Suedia nisi t’i ndërtonte ato që gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Bumi i ndërtimeve të bunkerëve ishte gjatë krizës bërthamore në vitet 1960, një epokë që u duk se kishte marrë fund në vitin 2002 me traktatin ndërkombëtar të mospërhapjes së armëve bërthamore. Një rrjet prej mbi 60 mijë bunkerësh, të aftë të strehojnë 7 milionë njerëz (tani popullsia është rreth 10 milionë) u shndërrua befas në një lloj relike, në një rrjet katakombesh moderne që nuk intrigonte më askënd.
Një infrastrukturë që gjithsesi nuk kishte reshtur së qeni potencialisht funksionale. Më e famshmi është bunkeri i madh i Katarinaberget në kryeqytetin Stokholm, që në fakt është një parking makinash, i cili mund të strehojë deri në 16.000 njerëz nëse është e nevojshme. Por sigurisht që ai nuk bën për agjentët e pasurive të paluajtshme.
Kërkesat për “vizita” nga blerësit e mundshëm, kanë filluar të mbërrijnë edhe nga klientët që jetojnë jashtë Suedisë. “Javën e kaluar mora një telefonatë nga një sipërmarrës i pasur holandez. Shumë e-maile vijnë nga Spanja, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar”, rrëfen Brolin.
Në janar të këtij viti, agjencia MSB lëshoi një deklaratë që synonte të ishte një paralajmërim i kujdesshëm. Ishte pak e shumë e tipit “rreziku nuk është shumë i afërt”, por nëse do të fillojmë të mendojmë të gjithë së bashku se lufta mund të shpërthejë në ndonjë moment, atëherë do të jemi vërtet të përgatitur.
Dhe në atë moment nisën edhe inspektimet. Anders Johaneson, menaxher i bunkerëve për MSB, tha se pas atij njoftimi, faqja zyrtare e agjencisë në internet doli jashtë funksionit si pasojë e trafikut të pazakontë në të. Kështu, simbolet trekëndore portokalli nisën të shfaqen në hartat lokale GPS, që tregojnë se ku ndodhen vendstrehimet.
Kenet Klauze, një pensionist 64-vjeçar dhe pronar i njërit prej këtyre bunkerëve, thotë se herë pas here shkon të kalojë natën atje: “Unë po bëj që tani prova. Pastaj dekorimi dhe mbajtja e tij në rregull u shndërrua në një lloj argëtimi për mua.
Madje kam mbajtur edhe një ditar me të gjitha gjërat që kanë ndodhur që kur u ndërtua ky bunker në vitin 1969. Asnjëri prej nesh nuk është aq i përgatitur sa 40 vjet më parë. Por është pozitive që Suedia po flet për këtë skenar të mundshëm tragjik. A e keni parë se çfarë janë të aftë rusët në Ukrainë?”.