Kryesore Frika nga Vetting-u, gjyqtarët bum kërkesash për dalje në pension

Frika nga Vetting-u, gjyqtarët bum kërkesash për dalje në pension

Nëse deri para miratimit dhe nisjes së zbatimit të ligjit të Vetingut, gjyqtarët e të gjithave niveleve, lëviznin çdo gur dhe shfrytëzonin çdo hapësirë, për të qëndruar në detyrë pavarësisht mbushjes së moshës për dalje në pension, kohët e fundit, po ndodh e kundërta, ku gjyqtarët po nxitojnë të dalin në pension, në disa raste edhe pa mbushur plotësisht moshën.

Teksa organet e Vetingut, hetuesit e SHBA-BE dhe institucionet e tjera ndihmëse kanë nisur një verifikim të trefishtë për 68 prokurorë dhe gjyqtarë, për ligjshmërinë e pasurive, kontaktet e mundshme me krimin dhe aftësisë profesionale, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka një bum kërkesash nga ana e gjyqtarëve për të dalë në pension. Lëvizja vjen edhe në një kohë kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e shoqatave të gjyqtarëve për të hedhur poshtë kufizimin kohor, parashikuar në ligjin e Vetingut, brenda të cilit gjyqtarët mund të jepnin dorëheqjen për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut. Ky afat ka skaduar, ndërsa vetëm 10 gjyqtarë e shfrytëzuan, duke dhënë dorëheqjen.

Ndërkaq, vetëm gjatë mbledhjes së fundit, të datës 17 nëntor të këtij viti, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka miratuar daljen në pension të gjyqtarëve Myriban Mullaj dhe Gjinovefa Gaba, ndërsa ka shtyrë daljen në pension të inspektores Dashuri Gjunkshi. Në mbledhjen e parafundit, KLD miratoi daljen në pension të gjyqtarit Granit Qypi. Sipas burimeve, në KLD janë depozituar një listë me kërkesa për dalje në pension, ndër të cilat edhe kërkesat e Arjana Liços gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Fiqerete Mullajt gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, Nazmie Pengilit gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë etj.

Dy standardet

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në korrik të këtij viti, ka rrëzuar me shumicë votash daljen në pension të këtyre dhe të tjerëve gjyqtarëve, me argumentin se nuk kishte bazë ligjore. Në korrik të 2017, anëtarët e KLD Xhezair Zaganjori, Artan Broci, Ridvan Hado, Neritan Cena, Gerd Hoxha, Brunilda Kadi dhe Eneida Civici kanë votuar kundra daljes në pension të gjyqtarëve.

Gjashtë muaj më vonë, po me këtë legjislacion, KLD vendos daljen me urgjencë në pension të disa gjyqtarëve, ndërsa shumë të tjerë, të bllokuar po nga KLD, pritet të dalin në pension në javët dhe muajt në vijim. Në mbledhjen e datës 17 nëntor të këtij viti, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Ilir Meta, Etilda Gjonaj, Xhezair Zaganjori, Artan Broci, Gjin Gjoni, Gerd Hoxha, Eneida Civici, Brunilda Kadi, Ridvan Hado, Petrit Çomo dhe Neritan Cena kanë votuar pro daljes në pension të gjyqtarëve./shqiptarja.com