Koronavirusi po tmerron popullsinë kineze, me 60 mijë rastet e deklaruara deri më tani, dhe të vdekurit që për momentin mbeten 133.
Qeveria kineze po ndërton spitale në kohë rekord, dhe ka marrë masa të jashtëzakonshme duke pezulluar çdo aktivitet masiv në vend. Por kjo nuk duket sikur ka qetësuar popullsinë, veçanërisht në fshatrat periferike, disi jashtë vëmendjes së Pekinit.
Aty, komunitet që kanë shpëtuar nga përhapja e virusit, po zgjedhin metoda drastike për t’ u mbrojtur, ku disa prej tyre kujtojnë më shumë mesjetën se modernitetin.
Rrjetet sociale po dëshmojnë ditët e fundit skena tejet të veçanta. Gjashtë fshatra të provincës Hebei që kanë shpëtuar për momentin nga virusi po ndërtojnë mure rreth qendrës së banuar, për të penguar banorët e ardhur nga Wuhan dhe provinca e Hubeit, më e prekura nga koronavirusi.
Aty ku nuk ka mure, shumëfishohen postblloqet me persona të armatosur me shpata dhe shtiza amatoriale, por ka edhe lokalitete si ai i Yichuan që gjatë natës me anë të një eskavatori kanë shembur rrugën hyrëse në fshat, për të penguar çdo makinë të “dyshimtë”.
Në televizionin shtetëror Qeveria i ka bërë apel autoriteteve vendore të mos marrin masa të tilla dhe të mos diskriminojnë personat me prejardhje nga Wuhani dhe provinca e saj, por edhe ky apel i paprecedent në shoqërinë komuniste kineze në vetvete është sinjali që një përkeqësim i situatës rrezikon t’i ikë prej duarve Pekinit