Interi do të ndryshojë emër dhe logo. Nga muaji mars nuk do të quhet më Internazionale, por vetëm Inter Milano.
I dhe M do të jenë shkronjat në bazë të të cilave do të krijohet edhe logoja e re e klubit.
Pavarësisht nëse Interi do të shitet ose jo, këto ndryshime, sipas La Gazzetta dello Sport, do të ndodhin.
Logoja, e dizajnuar deri tani në vitin e largët 1908, do të stilizohet në një mënyrë më moderne.
E pashmangshme që tifozët e vjetër të mërziten, por më 9 mars, ditën kur Interi do të festojë 113-vjetorin, ata do të njihen me logon e re dhe do të duhet t’i thonë lamtumirë emrit Internazionale.
Ideja e logos
Sipas informacioneve të fundit, raportohet se ideja e logos do të huazohet nga simboli i Juventusit duke vendosur shkronjat I dhe M.
Stema, e krijuar në 1908 nga ilustruesi Giorgio Muggiani, është modifikuar gjatë dekadave, por asnjëherë nuk është ndryshuar plotësisht. Tani, megjithatë, siç raportohet nga Gazzetta dello Sport, ajo do të pësojë një ndryshim të rëndësishëm : “F” dhe “C” do të zhduken, në përputhje me emrin e ri, dhe do të vizatohen rreth shkronjave “I” dhe “M”, duke përshkruar në detaje Milanon moderne, atë të qiellgërvishtësve të Porta Nuova dhe City Life.
Prezantimi, në fakt, pritet të bëhet në muajt e ardhshëm, afër përvjetorit të klubit (9 Mars). Me lamtumirën e Pirelli, si sponsor të planifikuar për në 2021/22, Inter do të paraqitet në fillim të sezonit të ardhshëm me një pamje krejtësisht të re.
Shumica e tifozëve kundër
Vendimi për të ndryshuar emërtimin dhe stemën ka ndarë tifozët zikaltër në dy kampe. Natyrisht, pjesa tradicionale e fansave interistë e konsiderojnë si “shkatërrim të historisë dhe identitetit” transformimin e logos dhe emërtimit të klubit zikaltër. Sipas tyre, është e papranueshme që Interi të mos quhet më “Internazionale”, pasi nuk është një klub lokalist që përfaqëson vetëm Milanon. Në krahun tjetër, është një grup i moderuar që beson se një ndryshim i tillë do ta kthente Interin në një markë globale duke i dhënë rëndësi aspektit ekonomik dhe sidomos situatës së vështirë financiare në të cilën ndodhet klubi italian.