Kryesore Alimehmeti: Ulje reale e shifrave, po arrihet një “imunitet mburojë” në Tiranë,...

Alimehmeti: Ulje reale e shifrave, po arrihet një “imunitet mburojë” në Tiranë, por duhet kujdes

Ditët e para të janarit është vërejtur një trend në ulje të rasteve të COVID-19. Një ulje, që për epidemiologun Ilir Alimehmeti shkon përtej bilancit ditor.

“Ka ulje në shumë indikatorë, çka do të thotë qe ka ulje reale, nuk është thjesht ulja e rasteve te reja, por përqindja e rasteve pozitive. Në 1 dhjetor ishim në kuotën e 33.2%, sot jemi te 19%, pra ka përgjysmim”, thotë ai për programin “Dita Jonë” në A2.

Një indikator specifik e bën atë më domethënës. “Vihet re një rënie në Tiranë, që tregon rënien e vazhdueshme. Dinamikat e popullatës në shtetet e mëdha ndryshojnë nga vendet e vogla. Në Tirane ka të bëj dhe qarkullon gjysma e popullatës, e njëjta gjë edhe në Kosove me Prishtinën. Si rrjedhojë një përqindje e rëndësishme e ka kaluar në mënyrë natyrore virusin, një pjesë tjetër është e izoluar, duke arritur një imunitet mburojë, ku ata që e kaluan COVID-19 dhe janë aktivë në jetë shndërrohen në mburojë për ata që janë në shtëpi”, shpjegon ai.

Studimi i Akademisë së Shkencave flet për 50% të qytetarëve të kryeqytetit që kanë kaluar virusin pandemik, një studim domethënës për epidemiologun, por që pret konfirmime. “Një studim shoqërohet me një interval besueshmërie, por që është i ngushtë. Presim publikimin shkencor dhe oponencën, për momentin kemi vetëm një deklarate, por është gjithsesi një indikacion i rëndësishëm, por një shifër 49.6% duhet marrë në konsideratë”.

Por kjo shifër, dhe arritja e një imuniteti mburojë, nuk duhet sipas tij të krijojë iluzionin që gjithçka ka mbaruar dhe të ketë lëshime në masat parandaluese. Nga fronti i vaksinave, për të, lajmi i mirë vjen nga fakti qederi më tani mutacione te shumta të SARS-coV-2, veçanërisht ai britanik, nuk e ulin funksionalitetin e saj.