Pas shqetësimit të fansave se Britney Spears po keqtrajtohet nga njerëzit që e rrethojnë – shqetësim që u bë viral kohëve të fundit përmes hashtagut #FreeBritney – nëna e këngëtares paraqiti këtë javë një kërkesë ligjore për t’u përfshirë në vendimet financiare të së bijës, të cilat menaxhohen nga kujdestarët e saj ligjorë.
Spears u vu nën kontrollin e kujdestarëve ligjorë në vitin 2008 pas problemeve me shëndetin mendor. Babai i saj mori të gjithë të drejtën për të menaxhuar çështjet financiare dhe jetën e përditshme të këngëtares. Që prej vitit 2019, kujdestari i saj ligjor është menaxheri Jodi Montgomery. Sipas Forbes, për çdo vit shërbimi, ata kanë tërhequr 1.1 milion dollarë.
Një kujdestar ligjor caktohet zakonisht për njerëzit që janë të paaftë të marrin vendime vetë, kanë çrregullime mendore ose janë në moshë të madhe. Pavarësisht problemeve me shëndetin mendor në 2008, gjatë këtyre 12 viteve në kujdestari, Britney Spears ka publikuar katër albume, ka grumbulluar 140 milionë dollarë nga performancat në Las Vegas Residency, ka nxjerrë në treg produkte për modën dhe parfume si edhe ka shërbyer si anëtare jurie në X Factor.
Ndërkohë, referuar të qenurit nën kujdestari, Spears nuk mund të drejtojë makinën, të votojë, të martohet, të ketë fëmijë, të takojë fëmijët, të shpenzojë të ardhurat e saj ose të flasë publikisht pa miratimin e kujdestarit ligjor.
Të shumtë janë njerëzit që i kanë bërë kërkesë Shtëpisë së Bardhë që të rishikojë çështjen e saj, ndërsa të tjerë kanë firmosur peticione online ku kërkojnë që ajo të çlirohet nga abuzimi i babait dhe menaxherit.
Kujdestaria do të gjykohej në fillim të vitit, por u shty më 22 korrik për shkak të pandemisë.
Postimet në Instagramin e Spears janë të çuditshme, me foto misterioze, të pakuptimta dhe postime me citate në dukje frymëzuese, por që një pjesë e mirë e ndjekësve i konsiderojnë si thirrje e fshehtë për ndihmë, çka ka sjellë që hashtagu #FreeBritney të përkrahet nga fansa dhe personazhe të njohur.