“Nesër, pas krizës së koronavirusit, nuk do të vlejë më shumë se 35 ose 40 milionë euro nga 200 milionë që vlente vetëm pak kohë më parë. Dhe kush do të mund ta blejë atë? Kjo krizë do të pastrojë irracionalitetin e sporteve profesionale”.
Kështu është shprehur eurodeputeti Daniel Cohn-Bendit teksa ka komentuar të ardhmen e futbollit pas krizës së koronavirusit.
Tashmë të gjithë janë përqendruar te data kur do të rikthehen kampionatet më të rëndësishme në Evropë e jo vetëm, por për eurodeputetin, futbolli do të riorganizohet.
“Është sikur të ketë ndodhur një sulm bërthamor dhe duhet të rindërtohet, por me baza të tjera. Do të jetë një riorganizim që do të prekë jo vetëm për pagat e lojtarëve, por edhe përfitimet për të drejtën e imazhit dhe reklamimit. Ne kemi për të shembur sistemin e menaxherëve, të atyre që bëjnë biznes të tepruar në futboll. Unë nuk mendoj se lojtarët e futbollit do të luajnë më keq nëse do të paguhen më pak. Në të ardhmen, në kontratat televizive të futbollit, do të duhet të përcaktohet që një përqindje shkon për sportin olimpik dhe një tjetër në sportin amator, për shembull”, është shprehur Daniel Cohn-Bendit.