Bota 410 viktima në 24 orë në Spanjë, Franca dhe Gjermania do të...

410 viktima në 24 orë në Spanjë, Franca dhe Gjermania do të lehtësojnë masat

Spanja shënon përmirësim në pandeminë koronavirus. 410 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, sipas ministrisë së Shëndetësisë, duke çuar bilancin total të viktimave në mbi 20400.

Që prej shpërthimit të virusit, në këtë shtet janë prekur rreth 200 mijë persona, prej të cilëve 77 mijë janë shëruar. Kryeministri, Pedro Sanchez kërkon të arrijë një dakordësi për zgjatjen e gjendjes së emergjencës deri më 9 maj. Shefi i qeverisë së Madridit mbështet propozimin për heqjen graduale të kufizimeve. Por kjo do të bëhet nga vetë kryebashkiakët e qyteteve apo drejtuesit e territoreve autonome të Spanjës, në varësi të nivelit të përhapjes së Covid-19.

Edhe Franca po mendon për lehtësim kufizimesh, megjithatë nuk pritet që izolimi i banorëve të hiqet përpara muajit Maj. Më shumë se 500 të infektuar u shëruan në ditën e fundit në këtë shtet evropian, duke i dhënë shpresë qeverisë së Parisit për një përmirësim të situatës, të paktën në spitale. Franca numëron më shumë se 19 mijë viktima nga pandemia si dhe mbi 150 mijë të prekur.

Drejt lehtësimit gradual të masave është dhe Gjermania, vend i cili po përballet me një zemërim të shtuar të qytetarëve, të cilët kërkojnë të rikthehen në normalitet. Policia në Berlin arriti të mbante nën kontroll një demonstratë, në të cilën pjesëmarrësit kërkonin heqjen e masave kufizuese. Gjermania raporton më shumë se 140 mijë të infektuar dhe më tepër se 4500 viktima.