Politika “Futesh skutave me subjekte të OFL-së”, Rama sërish replika në distancë me...

“Futesh skutave me subjekte të OFL-së”, Rama sërish replika në distancë me Metën

Kryeministri Edi Rama ka replikuar sërish këtë të enjte me Presidentin Ilir Meta pas reagimit të këtij të fundit, i cili përshëndeste dorëheqjen e Presidentit të Kirgistanit pas manipulimit të zgjedhjeve të fundit.

Rama në Twitter përmes një postimi që i drejtohet direkt kreut të shtetit i thotë se krimi zgjedhor në republikat parlamentare është edhe përfshirja e presidentit “si palë në zgjedhje me thikë në gojë”.

Rama ka vijuar më tej me akuzën e tij ndaj Metës se është takuar me subjekte të OFL-së dhe këtë e quan krim mendor.

“Futja e Presidentit skutave nëpër lokale ku vënë baste ilegale subjektet e OFL për të propaganduar rrëzimin e qeverisë me revolucion është krim mendor”, shkruan Rama.

Më herët, Presidenti Ilir Meta reagoi për dorëheqjen e presidentit të Kirgistanit. Meta bënte thirrje që autorët e krimeve zgjedhore dhe dhunës kriminale të vihen para përgjegjësisë.

Presidenca reagon ndaj Ramës: Pse ke frikë të përballesh me Metën

Pas deklaratës së Ramës, ka ardhur edhe reagimi i Presidencës.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, i ka bërë thirrje Ramës që të respektojë “5 Qershorin”. Gjithashtu ai i bën thirrje që të dënojë në emër të OSBE-së zgjedhjet në Kirgistan pasi ishin si të Shijakut dhe të Dibrës.

“Me Presidentin ti je vite dritë larg. Ishe ti që i fute në Parlament dhe i vendose në krye të Bashkive, kriminelët dhe trafikantët. Këtë e di e gjithë bota”, thotë Blushi.

Më tej, ai pyet kreun e qeverisë se pse nuk del në debat televiziv me presidentin.

“Presidenti të ka ftuar në Përballje! Po pret studion televizive dhe orën! Pse ke frikë?! Pse mblidhesh si buburrec e fshihesh pas Twitterit?! Je aq frikacak sa trembesh edhe nga protestat e popullit në Kirgistanin e largët! Ora e Përballjes po afron! As në skutat e Twitter-it nuk do fshihesh dot po nuk respektove urgjent Marrëveshjen e 5 Qershorit”, thotë Blushi.