Shkencëtarët amerikanë kanë publikuar imazhet e para të koronavirusit të ri që është përhapur në më shumë se 70,000 njerëz në të gjithë botën dhe ka vrarë më shumë se 1700 persona. Studiuesit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, SHBA, e morën mostrën nga një pacient amerikan i infektuar. Ata kapën imazhe të virusit që shfaqeshin nga lloje të ndryshme qelizash, ndërsa disa prej shkencëtarëve i “pasuruan” imazhet me ngjyra, për të përcaktuar më qartë virusin nga qelizat e shëndetshme.
Shkencëtarët nuk ishin të befasuar kur panë se imazhet e mikroskopit ngjajnë me ato të virusit SARS, me të cilin koronavirusi i ri ndan një emër të pjesshëm: SARS-CoV-2.
Koronaviruset, si familje, emërtohen nga ngjashmëria e formës së tyre me një koronë, ose kurorë. Bakteret janë qeliza, të përbëra nga organele, të njëjtat struktura themelore që përbëjnë njerëzit, kafshët dhe bimët, por viruset janë ndërtuar ndryshe.
Në vend të kësaj, ato përbëhen vetëm nga ADN ose ARN, të mbyllura nga një guaskë proteine, e quajtur kapsid. Disa kanë një shtresë shtesë të jashtme.
Një virus ndryshon nga një tjetër në përbërjen e tij gjenetike – ARN dhe ADN – dhe proteinat në pjesën e jashtme të tij që i japin atij mundësinë për të depërtuar në membranat e qelizave të tjera.
Në imazhet e mikroskopit, virusi mund të shihet duke dalë nga disa qeliza për të sulmuar të tjerat, ndonjëherë në grupime shumë të përqendruara.
Për shkak se ata janë kaq të thjeshtë në strukturë, viruset nuk mund të mbijetojnë dhe shumohen më vete, kjo është arsyeja pse ata duhet të gjejnë një trup mikpritës për të jetuar. Imazhet e mikroskopit elektronik tregojnë se këta sulmues të vegjël shfaqen dhe lëvizin midis qelizave për t’u ushqyer.
Identifikimi i formës dhe strukturës së virusit nuk do ta ndalojë atë të përhapet, por kjo u jep shkencëtarëve të dhëna të rëndësishme se si ta çarmatosin atë.