Bashkë me trajnerin Sylvinho, në konferencën para miqësores ndaj Suedisë, doli edhe mesfushori Ylber Ramadani, i cili para se të fliste për ndeshjen e së hënës, u ndal te miqësorja e humbur 0-3 ndaj Kilit.
Ramadani zbuloi se kjo sfidë, edhe pse ishte e para nga 4 të tilla deri në Euro 2024, u mor lehtë nga futbollistët, të paktën në 15 minutat e para.
“E morëm lehtë me Kilin në 15 minutat e para, tani do jemi serioz”, tha Ramadani.
Më tej, mesfushori tregohet i sinqertë duke thënë se tashmë lojtarët do të jenë me këmbë në tokë. “Ndeshja me Kilin na shërbeu për t’u ulur me këmbë në tokë dhe për të qenë më serioz. Megjithatë atmosfera është fantastike në grup, jemi shumë të bashkuar dhe do të bëjmë maksimumin nesër kundër Suedisë.
Duhet të ndryshojmë qasjen nesër, ta marrim nga minuta e parë seriozisht ndeshjen dhe mos ta marrim lehtë. Në 15 minutat e para e morëm lehtë ndeshjen me Kilin, por kjo nuk do të ndodhi nesër. Edhe nëse nuk do të jem në Europian, unë do të jem në mbështetje të djemve”, tha Ramadani.