Në ditën e ditëlindjes së tij të 76-të Adriano Galliani, sot administrator i deleguar te Monza, dha një intervistë të gjatë për Tuttosport. Objektivi i tij mbetet ngjitja në Serie A, por nuk harron edhe Milanin “e tij”, pas të cilit mbetet supertifoz kuqezi.
“Padyshim që profile të rëndësishme po vijnë që të përpiqen ta ngjisin Monza në A. Për herë të parë në historinë e saj, herët a vonë, dikush duhet ta sjellë atë atje dhe unë mendoj se askush më shumë se Berlusconi nuk mund ta realizojë këtë ëndërr”.
“Për lojtarët dhe stafin teknik, në ditën e parë të punës në Monzello, u thashë që lojtarët e rëndësishëm do të vijnë dhe se askush nuk duhet të hidhërohet”.
“Duhet të kesh dy lojtarë të rëndësishëm në secilin rol dhe kush nuk pajtohet mund ta thotë dhe ata do të gjenin zgjidhje. Të gjithë e pranuan këtë qasje. Ne nuk po fshihemi dhe u thashë se nëse do të arrijmë të katërtit, do ta kemi humbur sezonin. Qëllimi është të shkojmë në A”.
Më pas, mbi Milanin: “Unë flas si tifoz, sepse unë jam një tifoz i Milanit dhe jam i lumtur që Pioli qëndroi. Ai ishte i mirë në ndryshimin e formacionit taktik, sepse me 4-2-3-1 ndryshoi fytyrën e skuadrës me Kessie dhe Bennacer që luajtën shumë mirë. Pioli e meritoi konfirmimin dhe unë mbetem një super tifoz i Milanit”.
Sakaq, edhe klubi kuqezi e ka uruar për ditëlindjen në faqen zyrtare.